Ambasadori i Suedisë në Kosovë, Jonas Westerlund, është shprehur se për çështje jetike politike si ajo e Presidentit, “edhe nëse je partia më e madhe, duhet bërë kompromise”.

“Më është thënë se pas zgjedhjeve të para pas luftës së vitit 1999, Presidenti i ndjerë Ibrahim Rugova, kur LDK-ja fitoi rreth 42–45% të votave, thuhet se kishte thënë ‘Tani mund ta formojmë qeverinë, mund ta zgjedhim presidentin dhe mund ta zgjedhim kryetarin e Kuvendit’”, thotë Westerlund.

“Dhe unë kuptoj se disa nga këshilltarët e tij të asaj kohe, përfshirë të ndjerin Alush Gashi, i kishin thënë ‘Shikoni, ne nuk e kemi shumicën. Nuk e kemi shumicën në parlament dhe nuk i kemi dy të tretat e votave për ta zgjedhur presidentin’. Pra, duhet të bëhen kompromise, edhe nëse je partia më e madhe politike”, shton.

Siç thotë ai “çështjet politike nuk janë lojë” dhe këtë duhet ta kenë parasysh politikanët e zgjedhur me vota të qytetarëve.

Kosova mbajti zgjedhje të jashtëzakonshme më 7 qershor pikërisht për shkak se deputetët nuk arritën që ta zgjedhin Presidentin e ri në afatet kushtetuese, pasi që Vjosa Osmanit i skadoi mandati i saj 5 vjeçar.

Vetëvendosja, si fituese e zgjedhjeve, ka thënë se pas certifikimit të rezultateve do të fillojnë komunikimet me partitë për krijimin e institucioneve.

Për konstituimin e Kuvendit dhe formimin e Qeverisë duhen së paku 61 vota, pra shumicë e thjeshtë.

Për çështjen e Presidentit duhet që në sallë të qëndrojnë dhe të marrin pjesë në votim 80 deputetë. Zhvillohen tre raunde. Në të parin dhe të dytin për t’u zgjedhur dikush President duhet t’i ketë 80 vota për, ndërsa në të tretin 61.