Komisioni për Legjislacion ka miratuar në parim Projektligjin për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme në mbledhjen e së martës.
Pro miratimit të këtij ligji votuan shtatë deputetë, dy ishin kundër, ata të Partisë Demokratike të Kosovës, përkatësisht Përparim Gruda dhe Blerta Deliu-Kodra. Abstenime nuk pati.
Gruda para anëtarëve të Komisionit dhe Ministres së Drejtësisë pati kritika se pse për këtë ligj nuk ka pasur konsultim publik.
“Pse nuk ka pasur konsultim publik për ligjin, kur ne e dimë që ligjërisht është e obligueshme… Është gabim që nuk e kemi pasur konsultimin publik në fazën që është dashur para miratimit në Qeveri”, tha Gruda.
Çështja tjetër që Gruda e përmendi ishte “shtrirja kohore e ligjit”, e cila theksoi se është shumë e gjatë.
Nëse adresohen të gjitha komentet që i dha, deputeti i PDK-së potencoi se ai dhe partia që përfaqëson do ta votojnë në lexim të dytë. “Nëse ka konsultim mes dy leximeve… e votojmë, s’jemi kundër”, shtoi.
Ky ligj ishte rrëzuar nga Gjykata Kushtetuese, por Gërvalla theksoi se këtë herë “do t’i respektojmë të gjitha çështjet procedurale të cilat i ka përmendur Gjykata”.
Përveç Komisionit për Legjislacion, të martën pati mbledhje edhe Komisioni për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes.
Ky komision, miratoi unanimisht vendimin e Qeverisë për dërgimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në Gaza, si pjesë e Forcës Ndërkombëtare Stabilizuese në Gaza.









