Bashkimi Evropian ka ritheksuar qëndrimin se Ura e Ibrit në Mitrovicë duhet të hapet, por njëkohësisht ka kërkuar nga Kosova që të nisë procesin drejt themelimit të mekanizmave të vetëmenaxhimit për komunitetin serb, të njohur si Asociacioni.

Në raportin e publikuar të mërkurën, BE-ja ka vlerësuar se kushtet teknike për hapjen e urës tashmë janë përmbushur, duke bërë të ditur se ka marrë parasysh edhe ndryshimin e qëndrimit të KFOR-it për këtë çështje.

Megjithatë, BE-ja ka theksuar se hapja duhet të shoqërohet me koordinim më të mirë dhe konsultim kuptimplotë ndërmjet komunave përkatëse dhe institucioneve të nivelit qendror, në mënyrë që ura t’u shërbejë të gjitha komuniteteve.

Në të njëjtin raport, BE-ja u ka bërë thirrje Kosovës dhe Serbisë që të zbatojnë pa vonesa dhe pa parakushte të gjitha obligimet nga Marrëveshja për Rrugën drejt Normalizimit dhe aneksi i saj i zbatimit, të njohura si Marrëveshja e Ohrit e vitit 2023.

Sipas BE-së, Kosova pritet të nisë procesin që çon drejt themelimit të mekanizmave të vetëmenaxhimit për komunitetin serb, ndërsa Serbia, paralelisht, pritet të nisë procesin e njohjes së dokumenteve, simboleve dhe institucioneve të Kosovës.

BE-ja ka vlerësuar se asnjëra palë nuk ka shënuar përparim të mjaftueshëm në përmbushjen e këtyre obligimeve.

Në raport rikujtohet se Marrëveshja e Ohrit mbetet e vlefshme dhe juridikisht e detyrueshme për të dyja palët, ndërsa çështjet formale që lidhen me miratimin apo formalizimin e saj nuk duhet të pengojnë zbatimin.

BE-ja ka paralajmëruar se normalizimi i marrëdhënieve dhe përmbushja e zotimeve nga dialogu mbeten kushte thelbësore në rrugën evropiane të Kosovës dhe Serbisë.