“Tronditëse, çnjerëzore dhe të papranueshme” e ka quajtur Ali Ahmeti, Kryetar i Bashkimit Demokratik për Intergim, deklaratën e Ministres së Administratës Shtetërore dhe Vetëqeverisjes Lokale në Serbi, Snezana Paunoviç, e cila tha se “po të isha Slobodan Millosheviç, do ta spastroja etnikisht Kosovën më 1998”.

Pikërisht për shkak të këtij “mentaliteti kriminale”, Ahmeti thekson se u krijua Ushtria Çlirimtare e Kosovës, themelues i të cilës ishte edhe vetë ai.

“Pikërisht përballë këtij mentaliteti kriminal u ngrit rezistenca e popullit të Kosovës, e cila u kurorëzua me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. Në krah të aleatëve tanë ndërkombëtarë, UÇK-ja solli lirinë dhe çlirimin e Kosovës”, shkroi Ahmeti në Facebook.

Ata që edhe sot ëndërrojnë spastrim etnik, Ahmeti u tha se “duhet ta dinë se ideologjitë e urrejtjes gjithmonë përfundojnë në bankën e historisë, ndërsa liria dhe e drejta triumfojnë”.

“Një deklaratë e tillë nuk është vetëm fyerje për viktimat e luftës, por edhe pasqyrim i një mentaliteti që frymëzohet nga politika kriminale e mentorit të saj politik, Sllobodan Millosheviç-it, i cili përfundoi duke u përballur me drejtësinë ndërkombëtare për krimet e regjimit të tij”, potencoi ai.

Të flasësh sot për spastrim etnik si alternativë politike, kur bota ka parë fëmijë të vrarë, masakra mbi civilë të pafajshëm, varreza masive dhe dëshmi të panumërta të krimeve të kryera në Kosovë, Ahmeti theksoi se është “dëshmi e një mendësie të rrezikshme dhe të papajtueshme me vlerat njerëzore, demokratike dhe evropiane”.

“Mohimi ose glorifikimi i politikave gjenocidale nuk mund të ketë vend në shekullin XXI”, thekson ai.

Për shkak të kësaj deklarate fashiste, ministrja serbe u shpall non-grata në Kosovë. Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, nënshkroi të martën vendimi ku i ndalohet përjetësisht Paunoviç-it hyrja në Kosovë.