Në një analizë për zhvillimet e fundit në Kosovë dhe Bosnjë, analisti i njohur amerikan – njohës i mirë i Ballkanit, Daniel Serwer, ka thënë se dënimi eventual me burg i krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës “nuk do ta përmirësojë reputacionin e drejtësisë ndërkombëtare askund tjetër përveçse në Serbi”.
Ai ka shkruar në lidhje me raportin nga Komiteti për të Drejtat e Njeriut i Odës së Avokatëve të Anglisë dhe Uellsit (BHRC) – duke theksuar shkeljet e evidentuara nga ky dokument.
“Ajo që nuk thuhet është se një gjykatë që i ka kushtuar bashkësisë ndërkombëtare disa qindra milionë euro ka dështuar të japë drejtësi që përmbush standardet që kërkon populli i Kosovës. Zgjidhja për këtë nuk është e qartë për mua. Por dënimet dhe burgosjet e mëtejshme nuk do ta përmirësojnë reputacionin e drejtësisë ndërkombëtare askund tjetër përveçse në Serbi”, ka shkruar Serwer.
Eksperti amerikan ka listuar shkeljet nga raporti i BHRC-së, që kanë të bëjnë me: mbrojtjen në liri, të drejtën për një tribunal kompetent, të pavarur dhe të paanshëm, pranueshmërinë e provave, e sidomos atyre të pranuara nga qeveria serbe, si dhe parimin e barazisë së armëve mes prokurorisë dhe mbrojtjes.
Serwer dikur kishte qenë një përkrahës dhe kishte bërë thirrje që të votohej Gjykata Speciale.
Por, tash e një kohë ai është ndjerë pishman dhe këtë e ka konfirmuar sërish.
“Unë tashmë kam bërë një mea culpa për rolin tim të vogël në nxitjen e kosovarëve që të krijonin Dhomat e Specializuara, të cilat ngritën aktakuza ndaj liderëve të UÇK-së pesë vjet më parë”, shkruan Serwer.
Në tetor të vitit të kaluar ai kishte vizituar Hashim Thaçin në qendrën e paraburgimit dhe kishte rrëfyer në pak pika bisedën me të dhe përshtypjet për procesin në tërësi. Aty ai kishte shkruar për devijimet që Specialja përjetoi rrugës – në veçanti – premtimin nga Bashkimi Evropian se do të shërbente për pretendimet për “trafikim organesh”, në një aktakuzë që nuk e përmend më këtë dhe gjykon krejt UÇK-në me doktrinën e “Ndërmarrjes Kriminale të Përbashkët”.









