Ushtruesja e detyrës së Presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, i ka bërë thirrje Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian që ta dënojnë gjuhën shoviniste, revizioniste dhe nxitëse të Serbisë.
Gjuha e liderëve të Serbisë, Presidentit serb, Aleksandër Vuçiç, dhe Kryetares së Kuvendit serb, Ana Brnabiç, Haxhiu theksoi se është rikthim i narrativave të Kasapit të Ballkanit, Sllobodan Millosheviç.
“Derisa qytetarët e Kosovës ende presin zbardhjen e fatit të të zhdukurve me dhunë nga regjimi i Millosheviç-it, Vuçiç dhe Bërnabiç, vazhdojnë me deklarata që mohojnë shtetësinë e Kosovës dhe ripërtërijnë pretendimet e Serbisë ndaj territorit tonë”, shkroi Haxhiu në Facebook.
“Këto deklarata janë vazhdim i gjuhës së mohimit, urrejtjes dhe propagandës mbi të cilën u ngrit politika shoviniste dhe ekspansioniste e regjimit të Millosheviç-it”, shtoi ajo.
Serbia, siç thotë ajo, nuk mund të pretendojë se është e përkushtuar ndaj paqes dhe normalizimit, “ndërsa nuk hap arkivat për personat e zhdukur, nuk bashkëpunon për zbardhjen e krimeve të luftës dhe vazhdon ta trajtojë Kosovën si territor të vetin”.
“Përballja me të kaluarën dhe respektimi i sovranitetit të shteteve fqinje janë kushte themelore për paqe të qëndrueshme në rajon”.
Faktet, thekson U.D Presidentja, janë të pakontestueshme. “Republika e Kosovës është shtet i pavarur që nga 17 shkurti 2008”. “Në vitin 2010, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë konfirmoi se shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk e kishte shkelur të drejtën ndërkombëtare”.
“Kosova është njohur nga 121 shtete, është anëtare e dhjetëra organizatave dhe mekanizmave ndërkombëtarë dhe vazhdon ta forcojë pozitën e saj ndërkombëtare. Ky realitet nuk zhbëhet me deklarata politike”.
Në këtë drejtim, Haxhiu i ka bërë thirrje Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian, që ta “dënojnë qartë këtë gjuhë shoviniste, revizioniste dhe nxitëse”. “Pretendimet territoriale ndaj një shteti fqinj dhe retorika që përsërit narrativat e regjimit të Millosheviqit nuk kanë vend në Evropën e shekullit XXI dhe nuk duhet të trajtohen si deklarata të zakonshme politike”.
“Republika e Kosovës është shtet sovran dhe demokratik, i ndërtuar mbi vullnetin e qytetarëve të saj dhe i orientuar drejt integrimit euroatlantik. As Vuçiçi-, as Bërnabiç-i dhe asnjë ideologji e dështuar e së kaluarës nuk mund ta zhbëjnë këtë realitet”.









