Pamjet e publikuara nga Vox Kosova për kushtet në Kampin e Policisë “Enver Zymeri” kanë nxitur reagime në opinionin publik.

Mes reagimeve është edhe ai i ish-kryeinspektorit të Agjencisë Kosovare për Inteligjencë, Burim Ramadani i cili ka kritikuar ashpër menaxhimin e Ministrisë së Punëve të Brendshme lidhur me kushtet në të cilat punojnë pjesëtarët e Policisë së Kosovës, madje duke kërkuar edhe shkarkimin e ministrit, Xhelal Sveçla.

Përmes një reagimi, ai i ka cilësuar pamjet si “tronditëse”, duke thënë se ato dëshmojnë një neglizhencë serioze ndaj kushteve bazike të punës për policët. Sipas tij, situata e paraqitur në kamp tregon se shteti nuk po kujdeset për institucionin e vet të sigurisë, ndërsa pushteti po i përdor sukseset e Policisë për përfitime politike.

 “Ky nuk është shteti që kujdeset për kushtet elementare të Policisë së vet. Ky është pushteti që shfrytëzon sukseset e Policisë si suksese elektorale për vete, por kushtet e policëve rëndohen pa mbarim”, ka deklaruar ai. Ish-kryeinspektori ka ngritur gjithashtu pyetje për përgjegjësinë politike, duke kërkuar reflektim nga drejtuesit e Ministrisë së Punëve të Brendshme.

Në reagimin e tij ai ka përmendur edhe mungesën e disa përfitimeve dhe kushteve që, sipas tij, policët duhet t’i kenë të garantuara, si sigurimet shëndetësore, shtesat e nevojshme financiare, përmirësimin e kushteve të punës dhe transportin e siguruar.