Bekim Qoku, deputet i Lëvizjes Vetëvendosje në Maqedoni të Veriut, nëpërmjet një shkrimi krejt konspiracione është përpjekur të kontestojë aktivitetin kombëtar të ish-liderit të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare, Ali Ahmeti.

Ai qysh në fillim të tekstit e pranon se nuk ka prova që e lidhin Ahmetin me UDB-në dhe i pranon si spekulime “pretendimet se ai ka pasur rol në eliminimin e Jusuf e Bardhosh Gërvallës dhe Kadri Zekës”.

Qoku vetëm pasi ka pranuar këto të vërteta ka filluar të ngrejë hipoteza të zbrazëta lidhur me aktivitetin e ‘Abaz Gjukës’ dhe aftësinë e tij për të operuar në ilegale pa u kapur kurrë nga autoritetet jugosllave.

Deputet i VV-së shprehet i habitur se pse nuk është burgosur Ali Ahmeti nga Serbia.

“Si është e mundur që një veprimtar i kalibrit të Ali Ahmetit, që ka qenë në majë të organizimit, i angazhuar për vite të tëra në ilegalitet kundër regjimit gjakatar dhe skajshmërisht antishqiptar të Jugosllavisë, të mos ketë kaluar asnjë ditë në burg”, pyet disi me retorikë Qoku i VV-së.

Në fund Qoku pyet “thua të ketë qenë fat?”, duke relativizuar kështu rolin pivotal të Ahmetit në ilegalen shqiptare të fund-shekullit 20-të në një koordinim të pretenduar të tij me autoritetet jugosllave.

Ali Ahmeti është njëri nga personalitetet më të rëndësishme dhe me aktivitetin më të dendur në çështjen kombëtare.

Ai ka qenë njëri nga organizatorët e protestave të vitit 1981, teksa më pas ka luajtur një rol kyç në themelimin dhe udhëheqjen e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Pas luftës në Kosovë, ai themeloi Ushtrinë Çlirimtare Kombëtare në Maqedoninë e Veriut, një organizim ushtarak që çoi në Marrëveshjen e Ohrit përmes së cilës u forcua pozicioni i shqiptarëve në shtetin maqedonas.

Pas vitit 2001, Ahmeti ka shërbyer si udhëheqës i partisë Bashkimi Demokratik për Integrim, pozitë që e mban edhe aktualisht.

Ahmeti dhe partia e tij është në opozitë. Kjo pasi që VLEN-i, me mbështetjen e Kurtit, ndonëse nuk i fituan zgjedhjet parlmanetare të majit 2024 në kampin shqiptar, u bën pjesë e qeverisë maqedonase e cila drejtohet nga nacionalisti maqedonas, Hristjan Mickoski.

Kurti ishte investuar hapur në rrëzimin e Ahmetit nga pushteti në disa palë zgjedhje atje, duke mbështetur kundërshtarët e tij politikë.