Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka thënë se Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, po tenton që t’ia bartë fajin Komunës për mundësinë reale të dështimit të organizimit të Lojërave Mesdhetare “Prishtina 2030”, kur në fakt është ekzekutivi ai që nuk ka plotësuar kushtet për dështimin e takimit të planifikuar më 17 nëntor me Komitetin Ndërkombëtar në Greqi.

“Pagesa s’është kry. Emrat e delegacionit s’janë dërgu. Nuk jeni përgjigjë në email-a. Kush ka pasë me i bo këto? Qeveria. Qeveria. Qeveria. Qikaq e thjeshtë është”, shkroi Rama në Facebook.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në deklaratën e dhënë këtë të enjte në Kuvend tha se është Komuna e Prishtinës ajo që nuk ka pasur komunikim adekuat, dhe se sipas tij “kjo është arsyeja pse ndodhemi në këtë situatë”.

“Unë vazhdoj të jem optimist, por natyrisht jam optimist i përmbajtur për shkak se kush bën mirë nuk e ka kollaj të shtyhet me dikë që e bën të kundërtën dhe në këtë aspekt bashkëpunimi, komunikimi ynë me Komitetin Olimpik të Kosovës ka qenë tejet i mirë, por kjo nuk mund të thuhet edhe me Komunën e Prishtinës, prandaj edhe ndodhemi në këtë situatë…”.

VOX Kosova kishte raportuar ekskluzivisht për letrën që Komiteti Ndërkombëtar i Lojërave Mesdhetare i kishte dërguar Qeverisë së Kosovës, duke ftuar për takim më 17 nëntor në Greqi.

Megjithatë, për zhvillimin e takimit, Komiteti kishte parashtruar disa kushte, përmes së cilave kërkonte pagesën e shumës fillestare apo garancionit, emrat e delegacionit që do të marrë pjesë në takim si dhe përgjigje në shqetësimet e adresuara në letrat paraprake sa i përket përgatitjeve të planifikuara.