Kjo fushë futbolli që duket si të jetë arë e lëvruar me kultura të ndryshme bujqësore është Stadiumi “Adem Jashari” në Mitrovicë.

Këtu, Qeveria planifikon t’i mbajë garat e atletikës në kuadër të “Lojërave Mesdhetare Prishtina 2030”.

Megjithatë, mbajtja e këtyre lojërave në Kosovë është vënë në pikëpyetje të madhe.

Punimet në “Adem Jashari” kanë nisur tash e gjashtë vjet, për të përfunduar si gërmadhë në qendër të qytetit.

Njëjtë është edhe në skajin tjetër të Kosovës.

Në stadiumin e Gjilanit, Qeveria planifikoi garat e futbollit, por në atë fushë veç futboll s’mund të luhet.

Ka edhe më keq.

Sipas strategjisë qeveritare, ceremonia hapëse e Lojërave Mesdhetare dhe ndeshje futbolli do të zhvillohen në Stadiumin Nacional.

Stadiumi Nacional mund të ekzistojë vetëm në mendjen e dikujt si imagjinatë, pasi që si pikë e parë as lokacion për të nuk është caktuar.

Kjo letër e ardhur nga Komiteti Ndërkombëtar i Lojërave Mesdhetare në drejtim të Përparim Ramës, e shfaq më së miri gjendjen.

Aty tregohet se Qeveria nuk ka paguar garancitë bankare të kontratës dhe shpenzime tjera, dhe madje as që nuk është përgjigjur në e-maila që nga janari i vitit 2026.

Sipas Projektligjit për Lojërat Mesdhetare, Qeveria do të duhej të investonte mbi 253 milionë euro për këto lojëra, pritjen e së cilave Kosova e fitoi në vitin 2023.

Ardhja e mbi 4 mijë sportistëve të huaj në Kosovë me delegacionet e tyre, turizmi, fitimet e bizneseve, punësimet, e mbi të gjitha infrastruktura që mbetet pas përfundimit të Lojërave, do të duhej të përbënte shkas më se të mjaftueshëm që Qeveria, së paku kësaj here, të ishte e përgjegjshme në kryerjen e detyrave.

Por gjërat kanë shkuar në drejtim tjetër.

Kosova po rrezikon Lojërat Mesdhetare – një nga ngjarjet me të mëdha ndërkombëtare të zhvilluar ndonjëherë në Kosovë.

Dhe lojtarit që më shumë meritë do t’i takonte medalja e dështimit është Albin Kurti. Individi që e katapultoi veten në Krye të Komitetit Organizativ për Lojërat Mesdhetare.