Në rimorkion e këtij kamioni me targa serbe që po qarkullon lirshëm në autostradë, gjenden pajisje përbërëse të trenave të Kosovës.

Të njëjtat, po kthehen nga një riparim që iu bë në Zrenjanin të Serbisë.

Kjo video, që dëshmon për herë të parë në mënyrë vizuele se shteti i Kosovës po dërgon për serivsim, në Serbi trenat, nuk është realizuar në vitin 2023, e as 2024.

Ekskluzivisht për VOX Kosova, kompania “Profitech”, fituese e tenderëve për riparim në Trainkos, ka zbuluar se dërgesa në pamjet që sapo patë, është bërë veç para disa muajsh.

“Lidhur me imazhin e bashkëngjitur, dëshirojmë të sqarojmë se bëhet fjalë për një dërgesë të realizuar para disa muajsh, ku pajisjet përkatëse janë dërguar për riparim dhe më pas janë kthyer në vendin e tij”.

Profitech, VOX-it i tha se nuk janë identifikuar operatorë tjerë ekonomikë që mund të bëjnë rregullimin e pjesëve të trenave, pos atij në Serbi – dhe se aty vagonët janë dërguar edhe nga kompani tjera në Kosovë.

“…dëshirojmë t’ju informojmë se vagonët janë riparuar edhe nga operatorë të tjerë ekonomikë në të njëjtën kompani private në Serbi. Kjo dëshmon se realizimi i këtyre shërbimeve në atë lokacion nuk është praktikë e re apo e veçantë”, i tha VOX-it, kompania Profitech.

Dëgjojeni tash se çka thoshte Ministrja përgjegjëse për këtë çështje, Artane Rizvanolli, kur për herë të parë një punëtor i Trainkos e kishte zbuluar se vagonët e trenave të Kosovës po shkojnë për riparim në Serbi.

“Ne ndajmë brengën tuaj për çdo rast ku në tenderë publikë përfitojnë direkt ose indirekt kompani nga Serbia. Si ministri, po sigurohemi që ndërmarrjet publike të adresojnë sfidat që i hasin në këtë aspekt tek ministria sponsorizuese e Ligjit të Prokurimit Publik në mënyrë që kjo të adresohet në mënyrën më të mirë të mundshme në rishikimin e ligjit që planifikohet”.

Sic po shihet, këta brengën nuk e kanë aspak që pajisje që mirëmbahen nga të ardhurat publike, të taksapaguesve kosovarë, dërgohen për riparim në Serbi. Sepse kjo ka vazhduar.

Këta brengën e kanë që u zbuluan.

Për shumëkë në Kosovë, Zrenjanini si qytet në Serbi s’është dëgjuar më herët derisa u zbulua skandali i vagonëve.

Për shumë të tjerë, ky qytet ngërthen në vete kujtime të trishta.

Me një kërkim të thjeshtë në dokumentet e Tribunalit të Hagës për ish-Jugosllavinë, Zrenjanini del i lidhur me vrasjen dhe masakrimin e civilëve shqiptarë në Kosovë.

Personi që shfaqet në këtë fotografi është Dusan Gavraniç. I njëjti dëshmoi në Hagë pro kriminelit të luftës, Sreten Lukiç, shef i Shtabit të MUP-it serb në Prishtinë.

Gavraniç ishte shef i Sekretariatit të Punëve të Brendshme në Zrenjanin.

Nga Zrenjanini, Gavraniç përmes aparatit gjenocidial serb u dërgua në Kosovë në vitin 1999 – duke u emëruar në pozitë në sekretariat të punëve të brendshme në Gjilan.

Pas emërimit të tij aty, u kryen masakra të tmerrshme ndaj civilëve në disa fshatra të Gjilanit  – për çka, ndaj Gavraniç u ngrit aktakuzë për krime lufte nga Prokuroria Speciale e Kosovës.

Pra Zrenjanini, që dikur dërgonte njerëz të aparatit gjenocidal policor serb në Kosovë; Sot, nën pushtetin e Albin Kurtit, nga Kosova drejt Zrenjaninit dërgohen pjesë trenash për riparim.