Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se Ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla, dhe ai i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, i kanë edhe 54 orë kohë që ta sjellin raportin në lidhje me rastin e vrasjes së Arlinda Zekajt, për të parë se ku kanë dështuar hallkat e zinxhirit institucional, derisa paralajmëroi masa për këtë çështje.

“Ministria e Punëve të Brendshme edhe Ministria e Drejtësisë, i kanë edhe 54 orë që të ma sjellin raportin për të ndriçuar këtë rast deri në fund. Edhe ku kanë dështuar secila prej hallkave të zinxhirit institucional, por edhe çka po ndodh me të gjitha rastet e ngjashme”, tha Kurti për gazetarë të martën.

“54 orë nga ky moment i kanë Ministria e Punëve të Brendshme edhe Ministria e Drejtësisë. Dhe kjo është si rezultat që në seancën e mbrëmshme kur u votua me 67 vota rezoluta unë thash që ata i kanë 72 orë”, shtoi ai.

Masat, Kurti tha se do të jenë në përputhje me ligjin e rregulloret. “Natyrisht që do të ketë edhe masa në përputhje me ligjin e me rregulloret. Ne do të bëjmë gjithçka që mundemi e dimë, por shpejtësia është kryesore”.

Arlinda Zekaj u vra të dielën me sëpatë nga kunati i saj, i cili është në arrati dhe është shpallur në kërkim nga Policia e Kosovës.

Arlinda Zekaj kishte kërkuar mbrojtje nga institucionet dhe kishte paralajmëruar se mund të vritej, por mbrojtja nuk i ishte ofruar.