Në kohën kur ishte në opozitë, Albin Kurti kritikonte politikanët e tjerë për mënyrën se si lëviznin me xhipa të zinj e të blinduar, të shoqëruar me truproja dhe për distancën që mbanin me qytetarët.
“Ju e keni parë se si politikanët kur zbresin te qytetarët zbresin me xhipa të blinduar e me xhama të errësuar, ku ai të sheh ty e ti nuk e sheh atë. E nëse del prej xhipit, atëherë të këqyr mrrolshëm truproja e tij, se truproja e tij e din edhe ma mirë se ne se qytetarët kanë shumë arsye me i bë diçka atij politikani që ky po ia ruan veç trupin, se nashta krejt çka ka me ruajt është trupi, se mendja i ka ik moti”, kështu pati deklaruar kryeministri në detyrë, Kurti.
Por, tani në pushtet, në daljet publike, vizitat në qytete, ai është vazhdimisht i rrethuar nga truprojat.

Në vend të afërsisë me qytetarët që e premtonte dikur, sot ai ruan distancën në të njëjtën formë që e kritikonte më parë.

Mbrojtja e tij e afërt shpesh mbyll hapësirën, duke e kthyer një moment ku mbizotëron kontrolli dhe izolimi. Në një vizitë në Suharekë, ku kryeministri dukej se po i afrohej punës së përditshme të njerëzve në procesin e korrjeve, truproja e tij e mbylli aty – në kombaj.

Edhe gjatë një udhëtimi me tren, kryeministri u shoqërua nga disa truproja dhe një prej tyre madje e ndihmoi të hipte në lokomotivë. Ngjashëm si në fusha, edhe këtu krijohet përshtypja e një kryeministri të izoluar, që mbahet larg qytetarëve nga vetë stafi i tij, duke krijuar një atmosferë të tensionuar.

Përpos kësaj, nuk janë të pakta situatat kur truprojat e tij kanë ndërhyrë në mënyrë të ashpër: gazetarëve u është ndërprerë me forcë puna, u janë larguar mikrofonat apo u është bllokuar mundësia për të bërë pyetje.

Këto veprime nuk janë ndëshkuar asnjëherë nga vetë kreu i ekzekutivit, ai ka zgjedhur të heshtë.

Ajo që më parë shihej si privilegj i papranueshëm dhe i panevojshëm, tani është bërë domosdoshmëri.