Qeveria e Kosovës ka ndarë edhe tre milionë euro për diasporën. Përmes këtyre mjeteve, mërgimtarëve do t’u paguhen polisat kufitare, të njohura si Kartoni i Gjelbër. Vendimi është marrë në mbledhjen e Qeverisë të mërkurën më 24 qershor.
“Propozim-vendimi parasheh ndarjen e mjeteve buxhetore në shumë prej 3 milionë euro për zbatimin e masës 4.5 mbështetja e mërgatës nga pakoja e ringjalljes ekonomike. Mjetet merren nga pakoja dhe ndahen në Ministrinë e Financave”, ka thënë ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati.
Para zgjedhjeve, Qeveria kishte ndarë edhe dy milionë euro të tjera për avio-kompanitë që kanë linja ajrore në shtetet prej nga diaspora vijnë në Kosovë.
Në zgjedhjet e fundit të mbajtura më 7 qershor, në përfaqësitë diplomatike, Vetëvendosje fitoi mbi 80 për qind të votave e mbi 70 për qind në ato me postë.









