Është sulmuar fizikisht kryesuesi i Kuvendit të Prishtinës, Fehmi Kupina, pasi dështimit të seancës së Kuvendit Komunal për buxhetin.

Zëdhënësi i policisë, Enis Pllana, ka thënë për VOX-in se për këtë incident policia ka shoqëruar tre persona.

“Sot rreth orës 10:30 është pranuar informata për një rrahje në rrugën “UÇK” në Prishtinë. Me të marrë informatën policia, ka arritur në vendin e ngjarjes dhe ka shoqëruar 3 persona, të cilët ishin përfshirë në rast”, tha Pllana.

VOX Kosova ka provuar të kontaktojë me Kupinën, por ai nuk është përgjigjur në thirrjet telefonike deri në publikimin e këtij artikulli.  

Asamblisti i Partisë Demokratike të Kosovës, Leutrim Retkoceri, ka thënë se Kupina është sulmuar me shishe qelqi në kokë.

“Sulmi tinëzar me shishe qelqi në kokë që iu bë kryesuesit të Kuvendit Komunal të Prishtinës, Fehmi Kupina, nga asamblistë të LDK-së, të shtyrë nga gjuha dhe sjellja arrogante e Përparim Ramës, është turpi më i madh i ndodhë ndonjëherë në Komunën e Prishtinës”, shkroi ai në Facebook.