Kuvendi ka miratuar mocionin e Partisë Demokratike të Kosovës për ta futur në rend të ditës votimin e Ligjit për Gjykatën Speciale, konkretisht për ta rrëzuar veton e Presidentes Justina Shiroka-Pula për këtë ligj.
Mocioni mori 79 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim.
Në propozimin e mocionit, Ushtruesja e Detyrës së Kryetares së PDK-së, Vlora Çitaku, tha se nuk kanë arritur dakordim për procedurat me partitë që e kanë përkrahur ligjin, por në përmbajtje tha se kanë dakordim.
Ajo theksoi se pas votimit, të hënën të fillojnë procedurat e amendamentimit.
“Ne jemi dakorduar, ndonëse kemi pasur mospajtime në procedurë, në përmbajtje kemi dakordim. Unë ju ftoj Kryetare që këtë mocion ta miratojmë sot, ta miratojmë ligjin sot dhe menjëherë të hënën, të fillojmë procedurën e amendamentimit”, propozoi Çitaku.
Për të treguar seriozitet në këtë proces, ajo kërkoi që t’i jepet kohë dy javë.
“Zotem se të hënën do të sjellim nismën e re ligjore dhe brenda dy javësh do të bëjmë ndryshimet e ligjit në fjalë”.
Lëvizja Vetëvendosje e përkrahu mocionin. “Ne jemi dakord që të vendoset në rend dite”, tha Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci.
Mocionin e mbështeti edhe Aleanca.
LDK doli kundër. “LDK e ka qëndrimin e njëjtë ashtu siç kemi deklaruara edhe në seancën kur është propozuar për herë të parë”, tha Shefja e Grupit Parlamentar të LDK-së, Jehona Lushaku-Sadriu.
Çitaku më pas propozoi që votimi i ligjit të radhitet menjëherë pas pyetjeve parlamentare, ose pas votimit të marrëveshjeve ndërkombëtare, mirëpo, Haxhiu e kundërshtoi duke i thënë se kjo do të jetë pika e 11 e rendit të ditës.
Ligji për Gjykatën Speciale ishte miratuar nga Kuvendi më 6 tetor. Por, ai ligj, me kërkesë të Partisë Demokratike të Kosovës, u kthye në Kuvend nga Presidentja Justina Shiroka-Pula, për rishqyrtim.
Ligji ishte iniciuar nga PDK-ja pasi që Gjykata Speciale dënoi me 81 vjet burgim gjithsej krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.









