Gazetares së televizionit publik, Edina Avdiu, që për tri vjet ka qenë e angazhuar në edicionin qendror të lajmeve në RTK, nuk i është vazhduar kontrata e rregullt. Ajo ka përmendur presionet e partisë në pushtet, Lëvizjes Vetëvendosje, derisa përgjegjës kryesor për largimin nga puna e ka bërë ushtruesin e detyrës së kryeredaktorit, Blerim Haxhiajn.
“…nuk më largoi publiku, por direkt u.d. kryeredaktori Blerim Haxhiaj, i cili edhe muaj më parë nisi procedura disiplinore ndaj meje, të cilat iu kthyen mbrapsht”, shkroi gazetarja Avdiu në Facebook.
Ajo tregoi se paralajmërimi për mosvazhdim të kontratës nga një institucion publik siç është RTK-ja, “erdhi në muajin e pestë të shtatzënisë time”, për çka theksoi se “eprorët e mi ishin në dijeni”.
“Në këto 3 vite angazhimi në transmetuesin publik, partisë në pushtet nuk i konvenonte as kur e mbaja mikrofonin në dorë e bëja pyetje, as kur e lëshoja në tokë, ndaj vendosën që të ma merrnin nga dora”.
Avdiu bëri me dije se në dy raste është ftuar nga Haxhiaj, “i cili më thoshte se presioni nga partia në pushtet është i madh, presion që i erdhi në zarf me 200 mijëshen nga Qeveria, ndërkohë që pyetja ime për kryeministrin ishte, pse nuk kam rrogë?”.
“Presion u provua të ushtrohej edhe ndaj meje si gazetare, natyrisht jo direkt nga partia, por përmes veglave të tyre brenda RTK-së, në pozita të redaktorëve”, tha ajo.
Me gjithë presionin, censurën, mbledhjet, siç thekson ajo të “bezdisshme të mëngjesit, ku temat refuzoheshin se nuk i konvenonin partisë në pushtet, ku gazetarët fshihnim kokën prapa ekranit të kompjuterit për të mos na u dhënë tekste që vinin direkt nga partia, megjithatë arrija disi të realizoja një a dy kronika të balancuara për edicionin qendror”.
“Ndikimi i partisë në pushtet, në Dhomën e Lajmeve po ndihej aq fort, sa ‘erdhi dita’ që gazetarët gëzoheshim nëse një ditë shpëtonim pa na u dhënë ndonjë detyrë e këtij lloji (lexo propagandë)”.
Pavarësisht se në këto rrethana, të cilat tregon se nuk ishin të tilla kur kishte filluar punën, “arrita të realizoj 803 kronika, e qindra lidhje direkte”.
Por, puna më e madhe që ka bërë, vlerëson ajo, “janë kronikat që s’i kam bërë, tekstet që s’i kam lexuar”, derisa paraqiti një tekst që i ishte sjellë “si urdhër nga redaktorja ta lexoja, në ditën që kryeparlamentar u zgjodh Dimal Basha”, në të cilin lartësohej figura e tij.

“Insistimi ishte që thjesht ta lexoja, pa bërë pyetje dhe pa mu përgjigjur se kush ishte autori”, tregon ajo.
Por, Avdiu thotë se e ka refuzuar ta lexojë atë tekst, siç e quan ajo, “me cilësime e joprofesional për edicionin qendror të lajmeve”.









