Në veturën luksoze që në këto pamje po shihet teksa ndalon me vrull, gjenden Arben Thaçi dhe Erlind Thaçi. I pari vëllau i kryetarit të Obiliqit, Halil Thaçi, i dyti nipi – djali i Arbenit.

Të dy këta rreth orës 22:00 të mbrëmjes së 30 dhjetorit, shihen se pasi ndalojnë veturën e llojit “Mercedes”, marrin disa mjete të forta dhe sulmojnë brutalisht një 17-vjeçar, të cilit i shkaktojnë lëndime të rënda trupore.

Në lidhje me këtë rast është rrëfyer për VOX Kosova, babai i viktimës, Dalip Berisha.

“Vëllau i këtij… Halil Thaçit, kryetar i Komunës të Obiliqit. Bash vëllau i tij me djalë, e kanë ndjekë djalin qitu me kerr edhe e kanë sulmu, janë me kamera edhe me krejt. Edhe plus, djali u kanë tu shku te miqtë e vet, në oborr të mikut. Merre me mend”, thotë Berisha.

Berisha thotë se edhe në të kaluarën ka pasur telashe me familjen e Halil Thaçit, mirëpo që gjithçka ishte në dorë të Gjykatës.

“Po.. ma herët para një viti, kanë pasë një konflikt ky djali jem me atë djalin e atij. I ka majtë ky në do ditë, në mbajtje atje. Tani u liru kshtu… u liru ky që thojnë kimen prej të lymës që e nxjerr. Për vetëmbrojtje e ka… a din… Janë kamerat e krejt ato senet. Prej tute djali krejt a din prej frikës. Ju ka afru dy herë ai i ka pas. Tani i kena çu na njerëz, se shqiptarët që jem, e kena lutë në tana mënyrat…. Po ja la Gjykatës, po ja la Gjykatës… tash në mënyrë tinëzare”, tha ai.

Detaje në lidhje me rastin ka dhënë edhe Policia e Kosovës përmes raportit 24 orësh.

“Fsh. Milloshevë, Obiliq 30.12.2025-21:40. Janë arrestuar dy te dyshuar meshkuj kosovarë pasi që të njëjtit kanë sulmuar fizikisht viktimën mashkull kosovar. Viktima është dërguar për tretman mjekësor në QKUK. Me vendim të prokurorit, pas intervistimit të dyshuarit janë dërguar në mbajtje”, thanë nga Policia e Kosovës.

E kryetari i Obiliqit, Halil Thaçi, VOX Kosovës i tha se nuk është në dijeni se ka ndodhur ky rast.

Viktima ndërkaq, nuk ka qenë në gjendje të flasë për incidentin.