Albulena Haxhiu, deputete nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosjes, është zgjedhur Kryetare e Kuvendit të Kosovës në seancën konstituive të së mërkurës.

Haxhiu u zgjodh si Kryeparlamentare e re me 66 vota për. 44 deputetë ishin kundër dhe 8 abstenuan.

Pro Haxhiut votuan deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje dhe ata të komunitetit jo shumicë jo serb. Kundër ishin ata të Partisë Demokratike të Kosovës dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës. Abstenuan ata të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.

Në fjalën e parë të saj si Kryetare e Kuvendit, Haxhiu tha se e merr këtë detyrë “me vetëdije të plotë për peshën kushtetuese që ajo mbart dhe me respekt të thellë për vullnetin e qytetarëve që na kanë sjellë këtu”.

“Dhe këtë besim do ta nderojë me punë të përditshme, transparencë, por po ashtu edhe me përkushtim të plotë. Të qenit në Krye të Kuvendit do të thotë t’i shërbesh Republikës rendit demokratik dhe besimit publik”.

Ajo theksoi se Kuvendi “është shtëpia politike e të gjithë qytetarëve edhe atyre që pajtohen me ne edhe atyre që mendojnë ndryshe, sepse shteti iu shërben të gjithëve”.

“Detyra ime do të jetë të sigurojë që Kuvendi të funksionojë me dinjitet, transparencë dhe respekt të ndërsjelltë në përputhje të plotë me Kushtetutën, ligjet dhe praktikat më të mira parlamentare”.

Ajo u zotua se do të sigurohet “që secili prej jush ta gjejë hapësirën e vet këtu me të njëjtin dinjitet dhe me të njëjtin respekt ngase një Kuvend funksional është parakusht për një shtet të fortë dhe një demokraci të qëndrueshme”.

“E di që kemi ardhur këtu me histori të ndryshme politike me qëndrime të ndryshme me bindje që shpesh nuk përputhen, por sot në këtë sallë ne kemi një detyrë të përbashkët të ju shërbejmë qytetarëve me ndershmëri, me përgjegjësi dhe vizion, sepse ata presin nga ne zgjidhje, punë konkrete dhe bashkëpunim për të mirën e përgjithshme”.

Haxhiu potencoi se “pavarësisht se dallimet tona janë reale, përgjegjësitë i kemi të përbashkëta”.

“Ju ftoj që debatet t’i zhvillojmë me argumente, kritikat t’i shoqërojmë me përgjegjësi dhe dallimet t’i mbajmë brenda respektit të ndërsjelltë. Nuk është e nevojshme të mendojmë njësoj, por është domosdoshmëri të punojmë në të njëjtin drejtim, në shërbim të Republikës së Kosovës dhe në shërbim të qytetarëve të Republikës së Kosovës”.