Publicisti Blerim Shala, ka rrëfyer se si, që nga vitet e ’70, shqiptarët e Kosovës e kishin bërë rezistencën e tyre ndaj regjimit jugosllav edhe në këngë dashurie e në stadiume futbolli.
“’Pranvera në Prishtinë’ parimisht është këngë e dashurisë. Këngë e nostalgjisë. Këndohet nga Sabri Fejzullahu. Dhe ajo emitohet në dhjetor të vitit 1981, në akordet e Kosovës. Mos të harrojmë që ishte vetëm 7-8 muaj pas demonstratave të mëdha të marsit, prillit, të vitit ’81, e cila e përmbysi rendin, jo vetëm Kosovën, po rendin në ish-Jugosllavi. Dhe, për këtë shkak, ishte e pamundur që të mos i jepet edhe konotacion tjetër këngës, e cila fund e krye ishte po them këngë e dashurisë. E kënduar me nostalgji, siç di Sabri Fejzullahu”, tha Shala në emisionin VOX DATA.
Vetë titulli i këngës, thekson ai, “Pranvera në Prishtinë”, kishte aludime të njohura politike, “si Pranvera në Pragë, e vitit 1968, kur Çeko-Sllovakia, provoi të shkëputej nga kampi komunist dhe Pranvera Kroate e vitit 1971, që kishte të bënte me një lëvizje popullore goxha nacionaliste e Kroacisë, për një lloj pavarësimi të atëhershëm në ish-Jugosllavi e atëhershme”.
Prandaj, ishte e pamundur, siç thotë ai, të mos ketë konotacione. Plagët, tregon se ishin akoma të gjalla. “Kishte shumë të burgosur në Kosovë. Dhe, kënga si e tillë, mori një jehonë krejt tjetër fare. Sepse, në ato vite, prej ’81 e tutje, fillon një rezistencë, nëse mund të them ashtu jopolitike, apo rezistencë politike me mjete jopolitike”. “Me këngë. Jopolitike klasike”.
Gjithçka çka bëhej në ato vite, Shala tregon se bëhej me një konotacion tjetër. “E ka një dykuptimësi”.
“Sepse Serbia dhe Jugosllavia e atëhershme bënë një sulm total ndaj të gjitha vlerave që i kishin krijuar në vitet e ’70, vlerat politike, kulturore, arsimore. Për Serbinë e atëhershme, për Beogradin e atëhershëm, Universiteti i Prishtinës atëherë quhej ishte bastion i kundër-revolucionit. Pra, arsimi si i tillë ishte themeli i asaj Lëvizjes Studentore dhe Lëvizjeve të Kosovës për krijimin e Republikës. Pra, kënga shqipe si e tillë ishte problem për pushtetin e atëhershëm. Në çdo aspekt”.
“Ka pasë censurë. Ka pasë edhe atëherë normalisht ndalesa të llojllojshme, por gjithmonë ka pasë përpjekje disi me metafora me parabolla me figura stilistike, me përmendjen e shqipes ose shqiponjës diku në tekst të këngës, të thuhet shiko “ne jemi ende gjallë, nuk e kemi ndërmend me u dorëzu, edhe kjo do të jetë një periudhë kalimtare”. Pra, kishte dalë që thonë zogu nga embrioni viteve 70”.








