Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka arritur në Washington D.C, ku do të marrë pjesë në mbledhjen inauguruese të Bordit të Paqes me ftesë të Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump.
Lajmi u bë i ditur nga vetë Osmani, përmes një postimi në llogarinë e saj në platformën X.
“Me ftesë të Donald Trump-it, kemi arritur në Washington, D.C., për mbledhjen inauguruese të Bordit të Paqes, duke përfaqësuar Republikën e Kosovës si shtet anëtar themelues”, shkroi Osmani.
“Së bashku me aleatin tonë strategjik, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si dhe me udhëheqës të tjerë nga mbarë bota, do të vazhdojmë përpara në forcimin dhe avancimin e përpjekjeve tona të përbashkëta për paqe dhe siguri globale”, shtoi ajo.
Në Washington ka shkuar edhe Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i cili po ashtu do të marrë pjesë në mbledhjen inauguruese të Bordit të Paqes.
Më 22 janar, në Davos të Zvicrës, u themelua Bordi i Paqes. Nga Ballkani Perëndimor, shteti i vetëm si anëtare themeluese ishte Kosova, që u përfaqësua nga Presidentja Vjosa Osmani.
Në ceremoninë e themelimit të Bordit të Paqes morën pjesë 19 shtete: Argjentina, Armenia, Bullgaria, Bahrejni, Azerbajxhani, Hungaria, Indonezia, Jordania, Kazakistani, Katari, Kosova, Maroku, Pakistan, Paraguai, Arabia Saudite, Turqia, Emiratet e Bashkuara Arabe, Uzbekistan dhe Mongolia.









