Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Besa Kabashi-Ramaj, i ka thënë Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, se më e pakta që mund të bëhet nga ai, pas vrasjes së Arlinda Zekajt, është shkarkimi i Ministres së Drejtësisë, Donika Gërvalla dhe Ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.
“Më e pakta që sot mund të bëni është shkarkimin e detyrueshëm të Minitres së Drejtësisë dhe Ministrit të Punëve të Brendshme, sepse ministrat nuk janë aty vetëm për të drejtuar institucione kur gjithçka shkon mirë”, tha Kabashi-Ramaj në fjalën e saj në Kuvend.
Ajo theksoi se ministrat janë aty për të mbajtur përgjegjësi kur sistemi dështon.
Për më shumë se 5 vjet, Kabashi-Ramaj tha se Qeveria “ka pasur kohën, autoritetin dhe përgjegjësinë për të forcuar mekanizmat e mbrojtjes, për të siguruar policë të trajnuar, institucionet të koordinuara me kapacitete dhe reagim profesional ndaj grave të rrezikuara”.
“Sa gra të tjera duhet të vriten që kjo të mos trajtohet më si veç një tragjedi e radhës”, pyeti ajo.
Shkarkimi i Sveçlës e Gërvallës u kërkua edhe në protestën e së mërkurës.









