Më shumë se 16 milionë euro para publike, Xhelal Sveçla, ministri rishtazi i dënuar, ia ka besuar një grupi kompanish të lidhura me biznesmenë që në Shqipëri janë nën llupën e hetimeve për manipulim tenderësh.

Bëhet fjalë për tenderin e dhënë për grupin e kompanive “Infosoft System”, që për 16 milionë euro duhet t’ia sigurojnë Kosovës licencat e Microsoft-it.

Pronarët e kompanisë Infosoft System në Shqipëri, Armend Sharra dhe Bledar Dhima, përfliten për manipulues tenderësh në Shqipëri dhe SPAKU ka nisur procedura hetuese për disa tenderë fitues të të cilëve ishin pikërisht Sharra e Dhima.

Të dy këta, sipas të dhënave në ARBK, ishin të përfshirë edhe në selinë e kompanisë në Kosovë.

Si ka mundësi që ndër ministritë më të rëndësishme në vend, u jep një tender kaq të rëndësishëm kompanive që udhëhiqen nga persona të dyshimtë?

VOX Kosova ka pyetur Ministrinë nëse i kanë kryer verifikimet e plota të sigurisë ndaj këtyre kompanive dhe emrave përfaqësues, por përgjigje nga ta deri tani, nuk ka pasur.

Se ku i gjeti Sveçla bash këta t’ua jap 16 milionë euro nuk dihet, por dhënia e tenderit edhe në Kosovë ka disa hile brenda.

Kompania në Kosovë, që funksionon në kuadër të asaj në Shqipëri, tash njihet si Tessa Tech Prishtina.

Ja ku fillojnë problemet, që Sveçla me shokë i ka injoruar.

Për të kryer këtë shërbim, një kompani tjetër, me seli në Maqedoni të Veriut, kishte aplikuar me çmim më të lirë, por ajo është refuzuar me arsyetimin se është e papranueshme në aspektin e sigurisë kibernetike dhe kombëtare.

E çuditshme kjo, sepse VOX Kosova ka kuptuar se edhe kompania që e fitoi tenderin e do të ketë qasje të rëndësishme në sistemet teknologjike të Kosovës ka lidhje me Shkupin e Maqedonisë së Veriut.

Tessa Tech Prishtina funksionon në kuadër të kompanisë rajonale, e fokusuar në shërbimet e IT-së dhe sigurinë kibernetike, e cila po ashtu e ka një seli në Shkup të Maqedonisë së Veriut.

Atëherë, pse lidhja me Maqedoninë e Veriut ose aspekti i sigurisë ishte problem për ofertuesin e refuzuar, por jo për fituesin?

Dhe, meqë janë shprehur shqetësime për  sigurinë ndaj një kompanie, nuk janë verifikuar pronarët e kompanisë fituese?

Apo mbase tenderi u është dhënë pikërisht se janë të tillë?

Këtë veç Xhelal Sveçla e di për momentin.