Me numërimin e votave të diasporës – proces që është duke vazhduar aktualisht – Lëvizja Vetëvendosje ka shtuar dy deputetë.
Deri më tani, partia që udhëhiqet nga Albin Kurti, i ka 50 deputetë. Nga një mandat ia ka marrë Partisë Demokratike të Kosovës dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës.
PDK ka rënë në 23 deputetë, ndërsa LDK në 19.
Në qendrën e numërimit dhe rezultateve, aktualisht janë duke u numëruar votat nëpër përfaqësi diplomatike.
Kur janë numëruar 70.21 për qind e votave nëpër përfaqësi diplomatike, VV-ja ka 83,16 për qind, apo 12 mijë e 836 vota, PDK-ja 7.08 për qind, apo 1 mijë e 93 vota, LDK-ja 6.71 për qind, apo 1035 vota dhe AAK-ja 1.96, apo 302 vota.
Në total, sipas rezultateve të përmbledhura, deri më tani VV-ja ka 43.66 për qind, apo 300 mijë e 947 vota, PDK-ja 20.95 për qind, apo 144 mijë e 420 vota, LDK-ja 17.10 për qind, apo 117 mijë e 889 vota dhe AAK-ja 7.14 për qind, apo 49 mijë e 255 vota.









