Vlora Çitaku, Ushtruese e Detyrës së Kryetares së Partisë Demokratike të Kosovës, e ka konsideruar vendimin e Gjykatës Speciale për dënimin e ish-Presidentit Hashim Thaçi dhe të tjerëve për rastin e pengimit të drejtësisë si të turpshëm dhe të papranueshëm.
“Nuk ka asgjë më shqetësuese për drejtësinë sesa kur vendimet e saj pushojnë së befasuari, sepse besimi në paanshmërinë e saj është cenuar thellë”, shkroi Çitaku në Facebook.
Ajo ka shprehur zhgënjimin dhe shqetësimin e saj të thellë për procesin gjyqësor në Hagë.
“Kontestimet procedurale, proceset e njëpasnjëshme dhe zvarritjet shumëvjeçare i kanë thelluar pikëpyetjet tona serioze për administrimin e drejtësisë të kësaj Gjykate”.
Drejtësia, thekson ajo, nuk mund të ketë dy standarde: një për ata që gjykohen dhe një tjetër për ata që gjykojnë.
“Padrejtësisë do t’i përgjigjemi ashtu siç e meriton: me qëndresë, mobilizim dhe përkushtim të palëkundur shtetëror e mbarëkombëtar. Me veprime konkrete politike, juridike e diplomatike. Me vendosmëri, deri në fund!”.
Çitaku thotë se lufta për liri ishte e drejtë. “UÇK ishte ushtria jonë çlirimtare. Sakrifica e një populli për çlirim është pjesë e pandryshueshme e historisë sonë dhe nuk mund të njolloset – asnjëherë”.
“Me çlirimtarët, deri në liri!”.
Të martën Gjykata Speciale e dënoi me 17 muaj burgim ish-Presidentin Thaçi në rastin e pengimit të drejtësisë.









