Glauk Konjufca, Ministër në detyrë i Punëve të Jashtme, është deklaruar i pafajshëm për hedhjen e gazit lotsjellës në Kuvend më 10 gusht 2016, në Kuvend, në rigjykimin e këtij rasti.

“Jo, nuk ndihem fajtor”, tha Konjufca, kur u pyet nga gjyqtarja Edita Çanta nëse ndihet fajtor.

Konjufca u mbrojt në heshtje.

Pas përfundimit të shqyrtimit gjyqësor, gjyqtarja Çanta caktoi 28 gushtin si datë për shpalljen e aktgjykimit ndaj Konjufcës.

Në fjalën përfundimtare, Prokurori i këtij rasti, Dardan Çela, kërkoi që Konjufca të shpallet fajtor dhe t’i shqiptohet një dënim meritor, raporton Betimi për Drejtësi.

Ndërsa, Arbnora Zeqiri, avokatja e Konjufcës, tha se presin që Gjykata të nxjerrë aktgjykim lirues.

Prokurori Çela theksoi se mbetet pranë fjalës përfundimtare të dhënë në shqyrtimin e kaluar gjyqësor.

Ai tha se Prokuroria vlerëson se i akuzuari me veprimet e tij që i ka ndërmarrë në ditën kritike, është fajtor dhe i përgjegjshëm.

“Dhe nuk ka asnjë rrethanë që do ta lironte nga përgjegjësia penal. Andaj, propozoj që të shpallet fajtor dhe t’i shqiptohet një dënim meritor sipas ligjit të Kosovës”, tha Çela.

Sa i përket lartësisë së dënimit, Çela pohoi se Gjykata duhet të marrë parasysh si rrethanë rënduese shkallën e lartë të dashjes për kryerjen e veprës penale dhe rrezikshmërinë konkrete të veprës penale.

E gjithë kjo, sipas prokurorit, duke marrë parasysh faktin se vendi ku është përdorur gazi lotsjellës, ka qenë vend i mbyllur dhe institucion publik ku kanë qenë të pranishëm edhe persona tjerë.

Nga ana tjetër, avokatja Zeqiri theksoi se nuk ka arritur të provohet se kush e ka hedhur gazin lotsjellës.

Sipas saj, fakti që Prokurori përmendi që ishte gjetur një bombolë e zbrazët afër karriges ku ka qenë i ulur i akuzuari, nuk e vërteton se ai e ka hedhur atë dhe se kjo nuk vërtetohet as nga deklarimet e të akuzuarit në Polici.

Zeiqiri potencoi se Gjykata nuk mund të bazojë vendimin e vet në deklaratat e mëparshme, por vetëm në atë që është thënë në shqyrtim gjyqësor.

Ajo tha se janë të bindur se Gjykata nuk ka si të veprojë ndryshe, por vetëm të nxjerrë aktgjykim lirues ndaj të mbrojturit të saj për veprën penale “Përdorim i armës apo mjetit të rrezikshëm”.

Më 26 shkurt 2024, Gjykata Themelore në Prishtinë e kishte liruar Konjufcën nga akuzat. Arsyetim i saj kishte qenë se nuk është provuar seka kryer veprën që ngarkohej “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm”.

Por, më pas, Gjykata e Apelit e ktheu në rigjykim këtë rast.

Aktakuza ndaj Konjufcës ishte ngritur më 3 shkurt 2017, duke e ngarkuar me dy vepra penale.

Sipas aktakuzës, Konjufca akuzohej se më 10 gusht 2016, gjatë mbledhjes në sallën e Kuvendit të Kosovës, ku merrnin pjesë atëherë Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, deputetët Adem Grabovci, Ismet Beqiri, Sabri Hamiti, Pal Lekaj, Valdete Bajrami dhe Sllobodan Petroviç, i njëjti në cilësinë e deputetit, në kundërshtim me ligjin ka përdorur armë, pasi që gjatë kësaj mbledhje kishte hedhur gazin lotsjellës në këtë sallë.