Kuvendi i Kosovës ka miratuar Projektligjin për ratifikimin e marrëveshjes për anëtarësimin e Kosovës në Bordin e Paqes, i themeluar nga Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA), Donald Trump.
Në favor të këtij ligji votuan 103 deputetë. Kundër dhe abstenime nuk pati. Pro votuan të gjitha partitë parlamentare shqiptare: Lëvizja Vetëvendosje, Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës. Po ashtu, pro votuan edhe deputetët e komuniteteve jo shumicë jo serb.
Komisioni për Punë të Jashtme e kishte miratuar këtë projektligj më 22 prill. Fillimisht, deputetët e VV-së, pjesë e këtij komisioni kishin kërkuar që të bëhet një grup punues për të ndryshuar një nen të këtij ligji, por më pas ishin tërhequr dhe u miratua siç kishte qenë paraprakisht.
Bëhej fjalë për nenin 2 të këtij Projektligji, ku ndër të tjera thuhej se objektivi kryesor i Bordit të Paqes është “garantimi i paqes së qëndrueshme në zonat e prekura ose të kërcënuara nga konflikti”. Nga VV e cilësonin “problematik” këtë nen, pasi që kërkonin specifikimin e konflikteve në të cilat Bordi i Paqes do të ndërhynte, por që në fund hoqën dorë.
Më 22 janar, Vjosa Osmani, si Presidente e Kosovës në atë kohë, kishte nënshkruar në emër të Kosovës pjesëmarrjen në këtë bord, duke u bërë një nga shtetet themeluese.
Ceremonia u zhvillua në Davos të Zvicrës, ku po mbahej Forumi Ekonomik Botëror.
Më 19 shkurt, Osmani kishte marrë pjesë edhe në takimin inaugurues të Bordit të Paqes që ishte mbajtur në Uashington, nën patronazhin e Presidentit Trump. Aty kishte qenë edhe Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.
Bordi u krijua nga Trump, si një trup i ri për zgjidhjen e konflikteve ndërkombëtare. Fillimisht, kjo iniciativë ishte përqendruar në zbatimin e marrëveshjes për përfundimin e luftës Izrael-Gaza, por më vonë ndryshoi dhe Karta e Bordit tanimë nuk e kufizon rolin e saj vetëm në Gaza.
Si rrjedhojë e angazhimeve që Kosova ka marrë nga Bordi i Paqes, disa ushtarë të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), do të shkojnë në Gaza në kuadër të Forcës Ndërkombëtare Stabilizuese.
Vendimin për dërgimin e FSK-së në Gaza, i propozuar nga Qeveria, Kuvendi e kishte miratuar më 17 prill, më 89 vota për.









