Të dielën e 17 majit ka përfunduar procesi për regjistrimin e votuesve jashtë Kosovës për të votuar në zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare të 7 majit.
Nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), kanë njoftuar se nga 6 maji kur ka filluar ky proces e deri të dielën, kanë pranuar përmes platformës elektronike 142 mijë e 803 kërkesa për regjistrim, prej të cilave deri më tani janë aprovuar 109 mijë 696 kërkesa, ndërsa 7 mijë e 325 të tjera janë refuzuar dhe 25 mijë e 702 janë në pritje për shqyrtim.
Personat e regjistruar mund të votojnë fizikisht në përfaqësitë diplomatike të Kosovës, përmes postës në kutitë postare jashtë Kosovës, si dhe në kutitë postare brenda vendit.
“Mënyra më e përzgjedhur për të votuar, është votimi përmes postës. Nga 109 mijë e 696 aplikime të aprovuara, 81 mijë e 901 shtetas janë regjistruar për të dërguar pakon me fletëvotim në kutinë postare jashtë Kosovës, 2 mijë e 855 të tjerë për të dërguan pakon me fletëvotim në kutinë postare të KQZ-së në Kosovë dhe 24 mijë e 940 janë regjistruar për të votuar fizikisht në ndonjërën nga përfaqësitë diplomatike”, tha për VOX Kosova zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi.
Sipas Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, votimi jashtë vendit zhvillohet më herët. Së pari, planifikohet që votimi përmes postës të fillojë më 25 maj dhe të përfundojë më 6 qershor, ndërkaq, votimi në përfaqësi diplomatike organizohet më 6 qershor.
Për votimin me postë, Elezi njoftoi se janë funksionalizuar kutitë postare në 23 shtete të ndryshme të botës, përfshirë Kosovën, dhe adresat e tyre do të bëhen publike gjatë kësaj jave.
Kurse, për votimin fizik në përfaqësi diplomatike, KQZ do të saktësojë numrin e ambasadave dhe konsullatave në të cilat do të organizohet ky lloj votimi.
Sipas vendimit fillestar, Elezi thekson se procesi i votimit planifikohej të organizohet në 48 përfaqësi diplomatike me gjithsej 70 vendvotime, prej të cilave 33 ambasada dhe 15 konsullata.
“Megjithatë, pasi në periudhën e regjistrimit ka një numër përfaqësish që kanë më pak se 50 votues të regjistruar, KQZ do ta rishikojë listën e përfaqësive diplomatike në të cilat do të organizohet votimi më 6 qershor”.
Sipas Rregullores Zgjedhore për Regjistrimin dhe votimin jashtë Kosovës, ai pohoi se nëse numri i votuesve të regjistruar për votim në një përfaqësi diplomatike është nën 50, votimi fizik në atë përfaqësi diplomatike nuk organizohet dhe votuesit e regjistruar do të kalojnë automatikisht në statusin e votuesve përmes postës dhe për këtë do të njoftohen nga KQZ.
Zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare po mbahen pasi deputetët dështuan që ta zgjedhin Presidentin.









