Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, i ka dalë në mbrojtje kryetarit të partisë së tij, Lumir Abdixhiku, pas rezultatit të dobët që LDK arriti në Zgjedhjet e Parakohshme. Sipas Ramës, Abdixhiku “përfaqëson model të lidershipit të përgjegjshëm që udhëhoqi një proces të thellë reformues brenda Lidhjes Demokratike të Kosovës”.  

“Lumiri, me vetëdije të plotë politike, refuzoi të bëhet pjesë e diskursit fyes dhe përçarës që ka dëmtuar për vite me radhë kulturën politike në vend. Ai refuzoi nënçmimin e kundërshtarëve politikë, duke zgjedhur maturinë, respektin institucional dhe gjuhën e përgjegjshme si mjete të konkurrencës demokratike. Kjo qasje nuk është shenjë dobësie, por shprehje e një lidershipi të sigurt në vlera dhe të përkushtuar ndaj standardeve demokratike”, shkroi mes tjerash Rama.

Lidhja Demokratike e Kosovës u rendit e treta në Zgjedhjet e Parakohshme që u mbajtën dje (e diel, 28 dhjetor) me vetëm 13.57 për qind të votave. Kryetari i këtij subjekti, Lumir Abdixhiku, tha se do ta thërrasë Kuvendin Zgjedhor dhe se është i gatshëm të jap edhe dorëheqje.