Albin Kurti, Kryeministër në detyrë i Kosovës, i ka dalë në mbrojtje Kryetarit të Kuvendit, Dimal Basha, në lidhje me punimin shkencor të 2012-së, ku Basha është bashkautor e ku portretizohet UÇK-ja si një organizatë e financuar nga trafikantët e drogës, duke thënë se ky nuk është problemi i Kosovës, por vendimet e qeverive të kaluara.

“Dimal Basha e ka dhënë sqarimin për atë publikim që është bërë para më shumë se një dekade, dhe aty ai e ka sqaruar se kapitulli që e ka shkruar nuk ka të bëjë me UÇK-në. Në fjalimin e tij pas zgjedhjes si kryetar Kuvendi, ai shprehu vlerësimet më të larta për këtë vlerë të kombit shqiptar”, ka thënë Kurti.

Sipas Kurtit, problemet i ka Kosova me vendimet që janë marrë në të kaluarën, e jo te artikulli i Dimal Bashës, në të cilin, sipas tij, Basha s’ka autorësi te pjesa e kriminalizimit të UÇK-së.

“Problemet që i kemi sot në Kosovë, nuk i kemi nga një deformim e keqinterpretim i një artikulli me bashkautorësi ku ky nuk është autor i atij kapitulli të para më shumë se një dekade. Problemet i kemi kur është nënshkruar ‘Zajednica’ më 2013, kur janë amnistuar kriminelët serbë në Veri, po ashtu në 2013, kur është votuar Gjykata Speciale më 2015, kur është themeluar Lista Serbe në bashkëpunim me Beogradin në vitin 2013”.

“Problemet i kemi kur politikanët e Kosovës kanë bërë qeveri duke u varur nga Lista Serbe. Problemet i kemi kur kanë hyrë në pazare për ndarje të Kosovës, jo te ky far artikull ku manipulohet një kapitull për të cilin ky s’ka autorësi”, shtoi Kurti.