Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, duke folur për fjalimin e tij në Washington D.C., në prani të Presidentit të Shteteve Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, tha se e ka përcjellë botërisht shqetësimin kombëtar “për maskaradën e pabesueshme” të drejtësisë ndërkombëtare në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së.
“Më vjen mirë natyrisht për jehonën e fjalës që mbajta në emër të Shqipërisë, ku konfirmova edhe pjesëmarrjen e vendit tonë në forcën ndërkombëtare të stabilizimit në Gaza. Po mbi të gjitha përcolla botërisht shqetësimin tonë kombëtar për maskaradën e pabesueshme të drejtësisë ndërkombëtare në Hagë ndaj Hashim Thaçit dhe çlirimtarëve të Kosovës”, ka thënë Rama të dielën në podcastin e tij “Flasim”.
Ai beson se niveli i ri i sensibilizimit do të ndikojë në përgjegjshmërinë e trupit gjykues në Hagë.
“Kam besim se niveli i ri i sensibilizimit lidhur me atë gjykatë deri më sot pa asnjë standard demokratik ku akuza dështoi me turp të provonte se UÇK-ja ishte një sipërmarrje kriminale dhe u lëshua në fund e dëshpëruar me kërkesën mizore për 45 vjet burg për Hashim Thaçin dhe tre udhëheqësit e tjerë të Luftës Çlirimtare do të ndikojë në përgjegjshmërinë e trupës gjykuese, e cila duhet të zgjedhë mes drejtësisë për Kosovën dhe turpit të njollosësve të Kosovës pafajësisë së çlirimtarëve dhe poshtërsisë së përndjekësve të tyre dinjitetit të një gjykate dhe vetë përdhosjes së saj përfundimtare”, shtoi ai.
Në mbledhjen inauguruese të Bordit të Paqes në Washington D.C, Rama i kërkoi Trump-it që të bëjë diçka në lidhje me Gjykatën Speciale, e cila po gjykon ish-krerët e UÇK-së.
“Për hir të Zotit, zoti President, le të bëjmë diçka para se, siç thuani ju, shumë gjëra të këqija mund të ndodhin përsëri”, tha Rama ndër të tjera.








