Ish-Kryetarja e Parlamentit të Shqipërisë, njëherit Ministrja e emëruar për Evropë dhe Punë të Jashtme, Elisa Spiropali, ka thënë se paraqitja e provave dhe dëshmive të mbrojtjes në gjyqin ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Hagë, “do të largojë përfundimisht njollat e fantazisë mbi emrin e UÇK-së”.
Drejtësia, siç thotë ajo, “duhet ta mundë njëherë e mirë padrejtësinë”.
“Në Hagë nisën sot dëshmitë e mbrojtjes për çlirimtarët e Kosovës, të gjendur prej kohësh në pritjen e pafund dhe të pamerituar”, shkroi Spiropali në Facebook.
“Çdo vendosje ekuivalence mes akuzave të fajësisë mbi çlirimtarët dhe lirisë që ata sollën për shqiptarët e do të ishte një barazim i turpshëm i së keqes me të mirën, një pllakë turpi në historinë e popujve për liri dhe drejtësi”, shtoi ajo.
James Rubin, ish-diplomati amerikan që gjatë kohës së luftës së fundit në Kosovë ka qenë Ndihmëssekretar Amerikan i Shtetit, ka filluar të dëshmojë nga sot (e hënë, 15 shtator) në Gjykatën Speciale si dëshmitar i mbrojtjes.
Përveç Rubin-it, nga ajo që dihet, edhe ish-Komandanti Suprem i forcave aleate të NATO-s për Evropë gjatë luftës në Kosovë, Gjenerali Wesley Clark, ish-kryeadministratori i Kosovës, Bernard Kouchner, ish-ambasadori William Walker, si dhe të tjerë – kryesisht nga Shtetet e Bashkuara dhe Britania e Madhe – kanë pranuar të dëshmojnë në anën e mbrojtjes.
Dëshmitarë kanë thirrur vetëm Hashim Thaçi dhe Jakup Krasniqi, ndërsa Kadri Veseli dhe Rexhep Selimi jo.
Ish-krerët e UÇK-së – Thaçi, Veseli, Selimi dhe Krasniqi – që nga 5 nëntori i 2020, po mbahen në qendrën e paraburgimit në Hagë. Ata akuzohen nga Dhomat e Specializuara për krime të pretenduara lufte dhe kundër njerëzimit.
Procesi gjyqësor ndaj tyre filloi në prill të vitit 2023. Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS), më 16 prill të këtij viti, bëri me dije se ka mbyllur paraqitjen e provave ndaj Thaçit, Veselit, Selimit dhe Krasniqit.
Gjatë kësaj kohe, pak më shumë se dy vjet, ZPS-ja thirri 125 dëshmitarë dhe paraqiti afër 3 mijë prova materiale.
Ndryshe, një ditë më parë, në Hagë të Holandës, afër objektit të Dhomave të Specializuara të Kosovës, mijëra qytetarë shqiptarë nga vende të ndryshme protestuan kundër Gjykatës Speciale dhe në mbrojtje të ish-krerëve të UÇK-së.