Organizata e Veteranëve të dalur nga Lufta e Ushtrisë Çlirimtare te Kosovës (OVL-UÇK) ka njoftuar se i janë drejtuar me një letër institucioneve dhe organizatave ndërkombëtare që kanë mbështetur publikimin e ekspozitës “Masakrat në Kosovë 1998–1999”, në Prishtinë, në të cilën u konstatuan pasaktësi.

Aty është kërkuar tërheqja e emrave të tyre nga çdo referencë e mbështetjes, për shkak, siç theksohet, të shqetësimeve serioze lidhur me besueshmërinë dhe integritetin e tij.

“Përmes kësaj letre është kërkuar tërheqja e emrave të tyre nga çdo referencë e mbështetjes në këtë publikim, për shkak të shqetësimeve serioze lidhur me besueshmërinë dhe integritetin e tij. OVL-UÇK thekson se trajtimi i temave të ndjeshme historike kërkon përgjegjësi të lartë dhe standarde të mirëfillta profesionale”, kanë shkruar në Facebook.

Siç njoftohet, letra u është dërguar këtyre institucioneve: Community Development Fund (CDF) – Embassy of Sweden in Kosovo, Rockefeller Brothers Fund (RBF), Institute of International Education (IIE), Swiss Federal Department of Foreign Affairs (FDFA) – Embassy of Switzerland in Kosovo, Cultural Heritage without Borders (CHwB), Kosovo Foundation for Open Society (KFOS) / Open Society Foundations.

Letra e plotë e OVL-UÇK-së

Për vëmendjen e drejtuesve të institucioneve mbështetëse,

Të nderuar,

Me shpresën se ky komunikim ju gjen mirë, në emër të kategorive të dala nga lufta e UÇK-së, po ju drejtohemi përmes kësaj letre publike në lidhje me mbështetjen që institucioni juaj i ka dhënë publikimit “Masakrat në Kosovë 1998–1999” të autorit z. Shkëlzen Gashi, si dhe ndikimit që ka pasur ekspozita e tij publike në Prishtinë.

Pas një shqyrtimi të kujdesshëm të përmbajtjes, vlerësojmë se ky publikim paraqet një sërë problematikash serioze që cenojnë besueshmërinë dhe integritetin e tij.

Së pari, ndonëse publikimi paraqitet si studim, ai nuk mbështetet në një metodologji të qartë kërkimore; mungon analiza e strukturuar dhe kritike e burimeve, si dhe një organizim sistematik i të dhënave, duke e afruar më shumë me një përmbledhje sesa me një hulumtim apo studim të mirëfilltë.

Së dyti, në disa raste përfshihen ngjarje të cilat cilësohen si “masakra”, edhe pse vetë publikimi e pranon mungesën e burimeve të mjaftueshme për to. Megjithatë, për këto raste paraqiten të dhëna konkrete si data, vendndodhje dhe numri i viktimave, duke krijuar një kontradiktë të drejtpërdrejtë dhe duke ngritur dyshime serioze mbi saktësinë dhe përgjegjësinë akademike të publikimit.

Së treti, mënyra e klasifikimit të viktimave përmes një ndarjeje të ngurtë ndërmjet civilëve dhe luftëtarëve paraqet një qasje reduktuese, që nuk reflekton kompleksitetin e realitetit në terren dhe rrezikon të prodhojë interpretime të deformuara të ngjarjeve, e po ashtu përbën mungesë të ndjeshmërisë për viktimat.

Së katërti, janë evidentuar mospërputhje në të dhënat numerike të viktimave në disa raste, si dhe përdorimi i materialeve vizuale që nuk përkojnë gjithmonë me ngjarjet që pretendohet të paraqiten, duke e dobësuar më tej kredibilitetin e publikimit.

Në këtë kontekst, vlerësojmë se përfshirja e institucionit tuaj në seksionin e mbështetjes së këtij publikimi nuk është neutrale. Pavarësisht deklarimit formal se pikëpamjet e shprehura nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht qëndrimet e donatorëve, vetë fakti i mbështetjes financiare dhe identifikimit publik krijon një lidhje të drejtpërdrejtë të legjitimitetit institucional me përmbajtjen e tij.

Një distancim i tillë formal nuk është i mjaftueshëm për të neutralizuar perceptimin publik, as ndikimin që kjo lidhje prodhon në interpretimin dhe pranimin e përmbajtjes.

Duke marrë parasysh arsyet e sipërpërmendura, konsiderojmë se mbajtja e emrit të institucionit tuaj si mbështetës i këtij publikimi cenon kredibilitetin institucional dhe përgjegjësinë publike që e shoqëron atë.

Për këtë arsye, kërkojmë nga ju që të tërhiqni emrin e institucionit tuaj nga çdo referencë e mbështetjes në këtë publikim.

Ruajtja e së vërtetës historike nuk është thjesht çështje akademike, por për më tepër një përgjegjësi morale ndaj viktimave dhe brezave që vijnë.

Me respekt,

Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së

Prishtinë, Kosovë.