Këtë të enjte, duke filluar nga ora 10:00, Kuvendi i Kosovës do të mbajë seancën e radhës plenare.

Në rend dite, ndër të tjera, do të jetë edhe Ligji për Gjykatën Speciale, i cili u kthye në Kuvend nga Presidentja Justina Shiroka-Pula, me kërkesë të Partisë Demokratike të Kosovës.

Në seancën e së enjtes së kaluar, Ligji për Specialen, me propozim të Partisë Demokratike të Kosovës, u fut si pikë fundit e rendit të ditës. Por, kjo seancë u shty për të premten nga Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, pasi që deputetët u vonuan për më shumë se gjysmë ore për t’u kthyer në sallë pas pauzës.

Votimi i ligjit nuk u bë as të premten e kaluar. Seanca u shtye sërish. Arsyeja ishte mungesa e kuorumit.

Të enjten e kaluar, ushtruesja e Detyrës së Kryetares së PDK-së, Vlora Çitaku, tha se kanë arritur marrëveshje për ta votuar Ligjin me partinë në pushtet, Lëvizjen Vetëvendosje, por tregoi se nuk janë pajtuar për procesin.

Kështu, ligji pritet që të miratohet ashtu siç ka qenë, pra të rrëzohet vetoja e Presidentes dhe më pas të bëhet amendamentimi i tij.

Ligji për Specialen ishte miratuar nga Kuvendi më 6 tetor. Por, me kërkesë të PDK-së, ai u kthye në Parlament për rishqyrtim nga Presidentja.

Ky ligj ishte iniciuar nga PDK-ja, pasi që Specialja dënoi me 81 vjet burgim ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Hashim Thaçi u dënua me 25 vjet burg. Jakup Krasniqi po ashtu me 25. Kadri Veseli me 18. Dhe Rexhep Selimi me 13.

Vendimi u kundërshtua nga qytetarët e Kosovës. Ata për 21 ditë me radhë protestuan kundër këtij aktgjykimi. Slogani i tyre ishte “Jo në Emrin Tim”.