Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, i është bashkuar një takimi të ministrave të Jashtëm të G7 në Francë për bisedime ku lufta SHBA-Izrael me Iranin është fokusi kryesor.

Rubio pritet të përballet me presion për të ulur përshkallëzimin e konfliktit, ndërsa shqetësimet rriten për ndikimin e tij në ekonominë globale.

Vendet e tjera të G7 – Mbretëria e Bashkuar, Kanadaja, Franca, Gjermania, Italia dhe Japonia – janë të kujdesshme që të mos përfshihen ushtarakisht. Grupi po diskuton gjithashtu edhe luftën në Ukrainë.

Teksa po udhëtonte drejt Francës, Rubio tha se është në “interesin” e vendeve të G7 që të “intensifikojnë” përpjekjet për të rikthyer lundrimin në Ngushticën e Hormuzit, një rrugë jetike që Irani e ka bllokuar në mënyrë efektive, duke shkaktuar rritje të çmimeve të karburantit.

“Nuk jam aty për t’i bërë ata të lumtur,” u tha ai gazetarëve. “Të gjitha vendet që kujdesen për të drejtën ndërkombëtare duhet të bëjnë diçka për këtë.”

Ndërsa hynin në takim, ministrja e Brendshme e Mbretërisë së Bashkuar, Yvette Cooper, deklaroi: “Duhet të shohim një zgjidhje të shpejtë të këtij konflikti që rikthen stabilitetin rajonal, dhe kjo duhet të përfshijë Ngushticën e Hormuzit.”

Rreth 20% e naftës dhe gazit të lëngshëm në botë kalon zakonisht përmes kësaj ngushtice. Mbyllja e saj ka çuar në rritje të madhe të çmimeve të naftës dhe ka ngritur shqetësime se një bllokadë e zgjatur mund të rrisë më tej kostot e energjisë.

Pak orë para se Rubio të nisej për në Francë, presidenti amerikan Donald Trump kritikoi sërish NATO-n, ku bëjnë pjesë të gjitha vendet e G7 përveç Japonisë, duke thënë se aleatët “nuk kanë bërë absolutisht asgjë për të ndihmuar” në këtë situatë.

Disa anëtarë kyç të aleancës, përfshirë Mbretërinë e Bashkuar, nuk janë angazhuar deri tani për të dërguar anije luftarake për të shoqëruar anijet tregtare në ngushticë, duke argumentuar se përfundimi i luftës është mënyra më e lehtë për ta rihapur atë.

Ministrat e G7 kanë deklaruar më parë se janë të gatshëm të marrin “masa të nevojshme” për të mbështetur furnizimin global me energji.

Në një takim të ministrave të enjten, ministri i Jashtëm gjerman, Johann Wadephul, tha se grupi duhet të zhvillojë një “qëndrim të përbashkët” me SHBA-në për t’i dhënë fund luftës sa më shpejt.

Ai shtoi se bisedimet me Rubio janë të rëndësishme dhe se Franca dhe Mbretëria e Bashkuar ndajnë të njëjtin qëndrim.

Pas takimit, Rubio tha në një postim në rrjetet sociale se ka rikonfirmuar angazhimin e Trump për të arritur një armëpushim në luftën e Rusisë në Ukrainë “sa më shpejt të jetë e mundur”.

Më herët, ministri i Jashtëm i Ukrainës, Andrii Sybiha, u takua me Rubio në margjinat e takimit të G7. Ai shkroi se roli i SHBA-së në avancimin e paqes mbetet “kritik”.

“Diskutuam gjithashtu zhvillimet në Lindjen e Mesme. Qëndrimi i Ukrainës është se regjimet në Moskë dhe Teheran po bashkëpunojnë për të zgjatur luftën,” tha ai.

Shefja e politikës së jashtme të BE-së, Kaja Kallas, e cila po merr pjesë në takim, tha se konfliktet janë “shumë të ndërlidhura”, duke shtuar se nëse SHBA dëshiron të ndalë luftën me Iranin, duhet “të ushtrojë presion edhe ndaj Rusisë”.

Sekretari britanik i Mbrojtjes, John Healey, tha për BBC se para konfliktit Rusia kishte ndarë inteligjencë dhe kishte ofruar trajnime për Iranin në përdorimin e dronëve dhe luftës elektronike.

“Sa i përket Iranit, ata po tregojnë një kapacitet për të goditur në të gjithë Lindjen e Mesme. Ne po shohim të njëjtat taktika dhe teknologji që Rusia përdor në Ukrainë, dhe kjo është dora e fshehtë e Putinit në të dy konfliktet,” tha ai.