Partia Demokratike e Kosovës ka mbajtur sot mbledhjen e radhës së Kryesisë, ku është diskutuar rezultati i zgjedhjeve të fundit, si dhe hapat e ardhshëm politikë dhe organizativë të partisë.

Në këtë mbledhje është folur edhe për mundësinë që procesi i brendshëm zgjedhor në PDK të nisë në shtator të vitit 2026.

“Në këtë mbledhje, Kryesia diskutoi edhe proceset e ardhshme, përfshirë zgjedhjet e brendshme partiake, të cilat do të jenë të hapura, të drejta dhe gjithëpërfshirëse, me synim krijimin e hapësirës për ide të reja, energji të reja dhe përfshirje më të madhe të gjeneratave të reja në strukturat drejtuese të PDK-së”, thuhet në komunikatë.

Kryesia e PDK-së ka vlerësuar se pjesëmarrja më e ulët në zgjedhje, krahasuar me ciklet e kaluara, me rreth 200 mijë votues më pak, paraqet një sinjal serioz të lodhjes së qytetarëve nga krizat e vazhdueshme politike.

Ndërkohë, sipas komunikatës për media, aty u theksua edhe rëndësia e përmbylljes së procesit gjyqësor në Hagë ndaj ish-liderëve të PDK-së dhe bashkëluftëtarëve të tyre.