Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE) ka propozuar që lista e tarifave të Operatorit të Emëruar të Tregut të Energjisë Elektrike (NEMO) për Kosovën të mbetet e pandryshuar. Ata kanë theksuar se nuk bëhet fjalë për rritje të tarifave të energjisë elektrike për këto tarifa. Por, ky vendim, nuk ka të bëjë me tarifat e qytetarëve të Kosovës, të cilët janë konsumatorë të KESCO-s.

Kjo u konstatua në mbledhjen e parë të Bordit të ZRRE-së për vitin 2026, ku u shqyrtua kërkesa për përcaktimin e të hyrave dhe tarifave të Operatorit të Emëruar të Tregut të Energjisë Elektrike për periudhën 2026–2028.

“Lista e tarifave të NEMO-s për Kosovën propozohet që të jetë e pandryshuar krahasuar me periudhën paraprake”, tha Muharrem Gashi, udhëheqës i Departamentit të Tarifave në ZRRE.

Ai shtoi se tarifat në fjalë nuk përfaqësojnë çmimet e energjisë elektrike në bursa, pasi që, siç thekson ai, çmimet e tregut formohen automatikisht nga platforma e tregtimit, bazuar në ofertat dhe kërkesat e pjesëmarrësve në treg.

“Tarifat e ALPEX-it duhet sqaruar se aplikohen vetëm për shërbimet ndaj anëtarëve të bursës, përfshirë tarifat vjetore, tarifat administrative, tarifat variabile të tregtimit, klerimit. Pra, këto tarifa nuk përfaqësojnë çmimet e energjisë elektrike në bursa, pasi që këto çmime tregu formohen në mënyrë automatike nga platforma e tregtimit bazuar në ofertat e kërkesës së pjesëmarrësve në treg për çdo ditë dhe për çdo orë”, shtoi Gashi.

Vendimi final lidhur me të hyrat dhe tarifat e NEMO-s për periudhën 2026–2028 pritet të merret pas përfundimit të procedurave të nevojshme rregullative.

Në adresë të ZRRE-së ka shkuar para disa ditësh edhe një kërkesë nga KESCO, në të cilën kanë kërkuar rritjen e tarifave të energjisë elektrike për 21.4 për qind. Ndër arsyet që kanë përmendur në kërkesë është edhe rritja e pagës minimale nga Qeveria.

Kjo kërkesë ende nuk është shqyrtuar nga ZRRE-ja.