Qeveria në detyrë e Kosovës ka themeluar Fondin e detyrueshëm të kujdesit shëndetësor të Kosovës.
Vendimi është marrë në mbledhjen elektronike të ekzekutivit që është mbajtur të hënën.
Themelimi i këtij Fondi parashihet me Ligjin për sigurimin e detyrueshëm të kujdesit shëndetësor. Ky Ligj është miratuar në legjislaturën e 10-të të Kuvendit të Kosovës.
Përmes një postimi në Facebook, Ministri në detyrë i Shëndetësisë, Arben Vitia, tha se ky është “një hap i rëndësishëm drejt ndërtimit të sistemit të sigurimit të detyrueshëm shëndetësor dhe zbatimit gradual të të drejtave dhe përfitimeve që parashihen me këtë ligj”.
Përveç këtë vendimi, siç njofton Zyra e Kryeministrit, në mbledhjen elektronike është miratuar edhe kërkesa e Ministrisë së Shëndetësisë për ndarjen e mjeteve buxhetore në shumë prej 400 mijë euro për zbatimin e Marrëveshjes me trupat e Organizatës së Kombeve të Bashkuara.
Edhe një vendim tjetër është miratuar për ndarjen e mjeteve buxhetore në vlerë prej 153 mijë me qëllim të mbështetjes së realizimit të tri ngjarjeve në kuadër të “OctoberTech” iniciativë që thuhet se bashkon ngjarjet më të mëdha të teknologjisë dhe inovacionit në Kosovë.









