Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca, ka thënë se e pranon “me përulje” nominimin nga Kryetari i partisë, Albin Kurti, si mandatar i dytë për krijimin e Qeverisë së re.
“Me përulje dhe obligim më duhet ta pranoj këtë nominim të Këshillit të Përgjithshëm për mandatar Kryeministri”, tha Konjufca.
Këtë, theksoi Konjufca “e bëj si thirrje nga detyra e cila na shndërron në shërbëtor të interesit publik”.
Ai pyeti se “cili është interesi më i thellë publik i popullit dhe shtetit tonë në situatën ku ndodhemi”, dhe theksoi se VV-ja e ka definuar këtë interes në dy shtylla në rrethanat aktuale.
“Së pari shmangia e dy palë zgjedhjeve të mundshme brenda 3 muajsh dhe së dyti votimin e buxhetit për vitin 2026 pa të cilin rrezikohen dimensionet vitale të qytetarëve tanë prej mbi 80 mijë pagave të sektorit publik, pensionet e shtesave të fëmijëve sipas rritjeve të planifikuara e deri te projektet ekzistenciale për shoqërinë tonë”, deklaroi Konjufca.
Konjufca u propozua si mandatar i dytë për krijimin e Qeverisë së re nga Kurti, në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të VV-së.
Këtë propozim, Kurti theksoi se po e bën “për shkak të vlerësimit e besimit të madh që kam dhe që kemi të gjithë ne bashkë te Glauku, por edhe për shkak që të mos bëhen dy herë zgjedhje – edhe në dhjetor, edhe në prill”.








