Partia Demokratike e Kosovës ka mbledhur urgjentisht degët e partisë dhe është mobilizuar për mbrojtje të Kushtetutës së Kosovës.
Kështu thuhet në një njoftim të lëshuar nga PDK-ja, pas një mbledhje që kanë pasur degët e këtij subjekti politik.
“Pas mbledhjes së Kryesisë, Partia Demokratike e Kosovës ka mbledhur sot edhe kryetarët e degëve të saj, duke kërkuar mobilizim të plotë të strukturave partiake në të gjithë vendin”, thuhet në njoftimin e PDK-së.
Këto veprime të PDK-së vijnë pasi që Lëvizja Vetëvendosje incioi seancë për Presidentin, madje të hënën e mbajtën edhe një raund votimi për këtë çështje, edhe pse nuk ishin të pranishëm 80 deputetë në sallë, ashtu siç e kërkon Kushtetuta.
Në këtë drejtim, nga partia më e madhe opozitare në vend kanë theksuar se do të “kundërshtojë çdo veprim të pushtetit që bie ndesh me Kushtetutën dhe rendin juridik, duke u angazhuar në të gjitha format demokratike dhe institucionale për mbrojtjen e tyre”.
“Nëse sonte procedohet me këtë zgjedhje antikushtetuese, do të ketë reagim të organizuar politik, institucional dhe qytetar”, citohet të ketë thënë kreu i PDK-së, Bedri Hamza.
Nga kjo parti kanë potencuar se do të jenë “në ballë të përpjekjeve politike dhe qytetare për mbrojtjen e Kushtetutës dhe Republikës, duke përdorur të gjitha mjetet demokratike për të ndalur përmbysjen e rendit kushtetues”.
Ndryshe, seanca për zgjedhjen e Presidentit që u mbajt në ora 14:00, u shtye përsëri nga Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, për shkak të mungesës së kuorumit.
Haxhiu njoftoi se seanca e radhës do të mbahet në ora 19:00.
Seanca për zgjedhjen e Presidentit filloi në mbrëmjen e së hënës.
Përkundër se nuk kishte kuorum, pra nuk ishin të pranishëm në sallë 80 deputetë, ashtu siç e kërkon Kushtetuta, Vetëvendosja filloi procedurat për zgjedhjen e Presidentit.
Madje, e mbajtën edhe një raund të votimit, në të cilin, Feride Rushiti mori 63 vota. Pasi numërimit të votave, Kryetarja e Kuvendit, e ndërpreu seancën dhe e shtyu të njëjtën për të martën.
Opozita reagoi ashpër njëzëri ndaj këtij veprimi, duke e cilësuar si “përmbysje të rendit kushtetues” dhe paralajmëruan edhe protesta e masa të tjera kundërshtuese.









