Albin Kurti, Kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje, garën e balotazhit të 9 nëntorit e zhvilloi vetëm në një komunë, atë të Mitrovicës, ku kandidatin për Kryetar e kishte zgjedhur nga një partner i koalicionit, nga Partia Guxo. Kandidatët e tjerë, 11 sosh, i la të vetëm në betejat e tyre.
Në raundin e parë të zgjedhjeve lokale, VV-ja i fitoi tri komuna – Shtimen, Podujevën dhe Kamenicën – ndërsa në 12 të tjerat shkoi në balotazh – Prishtinë, Prizren, Pejë, Kaçanik, Gjilan, Fushë Kosovë, Obiliq, Viti, Gjakovë, Mitrovicë, Rahovec dhe Vushtrri.
Por, në fushatën e balotazhit, Albin Kurti, u fokusua më së shumti në mbështetje të një kandidati, Faton Pecit.
Kurti shkoi pothuajse çdo ditë në Mitrovicë, madje qëndroi deri në orët e vona, shkoi edhe në ditën e zgjedhjeve, për t’i dhënë mbështetje Pecit që ta fitonte komunën, e cila, sipas angazhimeve që bëri Kurti, ishte kryesorja, pasi që e ktheu në kauzë personale.
Për dallim nga Mitrovica, Kurti shumë pak u pa në mbështetje të kandidatëve të tjerë: Hajrulla Çekut në Prishtinë, Artan Abrashit në Prizren, Taulant Kelmendit në Pejë, Ardian Golës në Gjakovë, Ali Dulës në Rahovec, Jeton Rakës në Kaçanik, Arsim Ademit në Viti e Sylejman Mehollit në Vushtrri.
Në këto qytete, kandidatët e VV-së e zhvilluan fushatën më shumë me ekipet lokale sesa me ndihmën e lidershipit qendror, pasi që edhe pjesa dërrmuese e kryesisë së VV-së, përveç Kurtit, u angazhuan në Mitrovicë.
Si përfundim Faton Peci, me ndihmën e jashtëzakonshme të Kurtit, arriti që ta fitojë garën në Mitrovicë përballë Arian Tahirit të PDK-së. Peci mori 53.47 për qind të votave apo 17 mijë e 837 vota, ndërsa Tahiri grumbulloi 46.53 për qind apo 15 mijë e 522 vota.
Por, partia e Kurtit humbi në Prishtinë, humbi në Prizren, humbi në Pejë, humbi në Gjakovë, humbi në Rahovec, humbi në Viti, humbi në Kaçanik dhe humbi në Vushtrri – madje në disa komuna rezultati i humbjes ishte i thellë.
Në Prishtinë humbi ndaj Përparim Ramës së LDK-së, në Prizren ndaj Shaqir Totajt të PDK-së, në Pejë ndaj Gazmend Muhaxherit të LDK-së, në Gjakovë ndaj Ardian Gjinit të AAK-së, në Rahovec ndaj Smajl Latifit të AAK-së, në Viti ndaj Sokol Halitit të LDK-së, në Kaçanik ndaj Sabedin Vishit të PDK-së dhe në Vushtrri ndaj Ferit Idrizit të PDK-së.
Nga ana tjetër, përveç Mitrovicës, VV-ja fitoi në Gjilan, Fushë Kosovë dhe Obiliq. Pra, nga 12 komuna sa ishte në balotazh, fitoi vetëm në katra.
Por për Kurtin, duket se mjaftoi që të shpallte fitoren në Mitrovicë — qytetin që e zgjodhi për betejën e tij e kryesore.









