Presidenti rus, Vladimir Putin, ka thënë të martën se forcat ruse kanë kapur gati 5,000 kilometra katrorë tokë të Ukrainës vetëm në vitin 2025 dhe se Moska ka mbajtur iniciativë tërësisht strategjike në vijën e frontit.

Këto toka të kapura në vitin 2025 përbëjnë gati 1% të territorit të plotë të Ukrainës, ndërsa Rusia tashmë kontrollon në total 20% të territorit.

Putin, teksa u drejtohej komandantëve kryesorë të ushtrisë në ditëlindjen e tij të 73-të, tha se forcat ukrainase po zmbrapsen në të gjitha sektorët e luftës. Ai shtoi se Kievi ka tentuar të sulmojë thellë në territorin rus, por se nuk do të mund ta ndryshojë situatën në luftën më shumë se 3-vjeçare.

“Këtë vit, ne kemi çliruar më afër 5000 kilometra katrorë territor – 4,900 dhe 212 lokalitete”.

Ndërkohë, ushtria ukrainase në gusht i ka cilësuar ofensivat ruse si dështime, me Moskën që ka dështuar të kapë qoftë edhe vetëm një qytet ukrainas këtë vit.