Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, ka konfirmuar identifikimin e mbetjeve mortore edhe në lokacionin e tretë të dyshuar në kuadër të hetimeve për rastin në Zubin Potok.

Sipas njoftimit të Prokurorisë Speciale, në terren është konfirmuar prania e mbetjeve mortore në këtë lokacion, ku tashmë kanë nisur ekzaminimet dhe procedurat e nevojshme hetimore për zbardhjen e të gjitha rrethanave të rastit.

Prokuroria Speciale dhe Policia e Kosovës, në koordinim me institucionet tjera kompetente, po vazhdojnë punën në terren për dokumentimin e plotë të gjetjeve dhe për sqarimin e rrethanave që lidhen me këtë rast.

Institucionet e sigurisë dhe drejtësisë kanë bërë të ditur se mbeten të përkushtuara për zbardhjen e plotë të rastit, duke ndërmarrë të gjitha veprimet hetimore në përputhje me ligjin.