E Dërguara e Posaçme e Mbretërisë së Bashkuar për Ballkanin Perëndimor, Dame Karen Pierce, ka thënë se gjetjet e Institutit për Krimet e Luftës në Kosovë (IKKL) do të luajnë rol të rëndësishëm për sigurimin e llogaridhënies për viktimat e luftës në Kosovë.
“Këto gjetje përbëjnë një kontribut të rëndësishëm në vendosjen e fakteve dhe sigurimin e llogaridhënies për më shumë se 13 mijë personat që humbën jetën ose u zhdukën gjatë konfliktit në Kosovë, si dhe për shumë të tjerë që u detyruan të largoheshin nga shtëpitë e tyre dhe pësuan humbje, lëndime apo trauma”, thuhet në deklaratën e Pierce të publikuar nga Ambasada britanike në Kosovë.
E Dërguara britanike për Ballkanin Perëndimor ka theksuar po ashtu se ngjarjet e luftës së Kosovës përbëjnë një nga tragjeditë më të mëdha të historisë moderne të Kosovës nga e cila duhet të nxirret mësim.
“Ngjarjet tragjike në Kosovë përbëjnë një nga periudhat më të errëta në historinë e kohëve të fundit të Evropës dhe ne duhet të nxjerrim mësime prej tyre. Paqja e qëndrueshme kërkon që të gjitha komunitetet të përballen me ndershmëri me të kaluarën dhe të punojnë drejt së vërtetës, pajtimit dhe mirëkuptimit të ndërsjellë.”
IKKL-ja, më 29 korrik, publikoi një raport preliminar me listën e personave të vrarë, të zhdukur me dhunë dhe të vdekur si pasojë e luftës në Kosovë. Sipas këtij raporti, 12 mijë e 230 persona janë vrarë gjatë periudhës së luftës, nga 1 janari 1998 deri më 20 qershor 1999, ndërsa 997 persona janë vrarë në periudhën e pasluftës, nga 21 qershori 1999 deri më 31 dhjetor 2000.









