Në Shqipëri do të protestohet të martën, më 26 maj, në ora 17:00, në mbështetje të studentëve shqiptarë në Maqedoni të Veriut, të cilët po kërkojnë që provimi i jurisprudencës të mbahet edhe në gjuhën shqipe.
Protesta është thirrur nga një grup i studentëve të Shqipërisë në mbështetje të bashkëkombësve të tyre në Maqedoni të Veriut.
Njëri nga organizatorët e protestës në Tiranë, studenti Dasho Veizaj, ka thënë se ata janë krah bashkëmoshatarëve të tyre për të mbështetur kërkesën e tyre që provimet e tyre të mbahen në gjuhën shqipe.
“Shqiptarë, Gjuha Shqipe nuk negociohet! Të dashur studentë shqiptarë, në Tiranë, Durrës, Elbasan, Shkodër, Vlorë, Korçë e Gjirokastër. Sot ne jemi të gjithë krah bashkëmoshatarëve dhe bashkëkombësve tanë në Maqedoninë e Veriut, të cilët kërkojnë që provimet e tyre universitare ti shkruajnë në gjuhën e tyre, në gjuhën tonë, amtare”, shkroi ai në Facebook.
Ai theksoi se sjellja e shtetit maqedonas ndaj studentëve shqiptarë që udhëtuan nga Tirana drejt Shkupit, për t’iu bashkuar protestës studentore në datën 18 maj, “tregoi se asgjë nuk është rastësore dhe spontane, por një politikë dhe strategji në dëm të interesave shqiptare”.
“Ne u ndaluam në kufi, na dhunuan moralisht e psikologjikisht, na detyruan dhunshëm të udhëtonin në një qytet tjetër, na ndaluan t’u bashkoheshim vëllezërve tanë! Por ne nuk tërhiqemi!”, shtoi ai.
“Ne jemi në krah dhe bashkë me bashkëpatriotët tanë në RMV. Ne do të protestojmë paqësisht në Tiranë dhe jo vetëm në Tiranë”.
Ai ka ftuar të gjithë për t’u bashkuar dhe për të dëshmuar se Gjuha Shqipe nuk mund të negociohet.
“Se liritë themelore të njeriut, nuk negociohen, ato vetëm ushtrohen dhe zbatohen. Studentët janë një, në Shqipëri, Kosovë dhe RMV Ejani të gjithë në sheshin Skënderbej, ora 17.00, e Martë, 26 Maj. Komiteti organizativ “Studentët për Studentët”!”.
Studentët shqiptarë në Maqedoni të Veriut kishin protestuar në Shkup më 6 prill dhe 18 maj. Ata kërkuan që provimi i jurisprudencës të mbahet edhe në gjuhën shqipe.
Protesta ishte thirrur nga studentët e tri universiteteve shqiptare në Maqedoni të Veriut: Universiteti i Tetovës, Universiteti “Nënë Tereza” dhe Universiteti i Evropës Juglindore.
Ata thonë se kjo është e drejtë e tyre që garantohet me Kushtetutën e Maqedonisë së Veriut, duke iu referuar Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve.
Qëllimi i protestave, sipas organizatorëve, është për t’i thënë “Stop diskriminimit institucional”.









