Mbretëria e Bashkuar do të mbetet mbështetëse e palëkundur e Kosovës, derisa ka kërkuar të “respektojë mandatin” e Gjykatës Speciale.

Kështu ka thënë Kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar, Andy Burnham, në letrën e tij drejtuar Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, ku e ka uruar për rizgjedhjen e tij si Kryeministër.

“Jemi krenarë që kemi qenë ndër vendet e para që e njohu pavarësinë e Kosovës. Ne mbetemi mbështetës të palëkundur të zhvillimit të vazhdueshëm të Kosovës si shtet sovran, i pavarur dhe shumëetnik, si dhe e vlerësojmë lart bashkëpunimin tonë të vazhdueshëm në promovimin e stabilitetit dhe sigurisë në Evropë”, thuhet në letrën Burnham që e ka publikuar Kryeministria.

Mbretëria e Bashkuar, ai ka thënë se mbetet e palëkundur në përpjekjet e saj për promovimin e stabilitetit rajonal dhe “njeh rolin thelbësor të drejtësisë ndërkombëtare, llogaridhënies dhe sundimit të ligjit në arritjen e pajtimit të qëndrueshëm”.

Burnham ka potencuar se “e inkurajojmë fuqishëm Kosovën që t’i përmbahet zotimit të saj për zbatimin e plotë të mandatit të Dhomave të Specializuara të Kosovës, si një dëshmi e rëndësishme e pjekurisë së saj demokratike dhe përkushtimit ndaj drejtësisë së pavarur dhe të paanshme për të gjithë”.

Po ashtu, Kryeministri britanik ka pohuar se pret me kënaqësi të punojë me homologun e tij kosovar “për të trajtuar disa nga sfidat më të mëdha të Evropës, si dhe për të zgjeruar bashkëpunimin tonë të shkëlqyer dhe partneritetin me përfitime të ndërsjella në fushat me interes të përbashkët, nga forcimi i ekonomive tona deri te luftimi i krimit të rëndë të organizuar”.