Presidenca e Kosovës ka njoftuar se presidentja Justina Shiroka Pula ka vizituar familjet e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, ish-krerëve të UÇK-së që po përballen me procesin gjyqësor në Hagë.
Sipas njoftimit të Presidencës, gjatë takimeve, Shiroka Pula ka shprehur solidaritetin me familjet, duke theksuar se kjo është një periudhë e vështirë për to dhe për Republikën e Kosovës.
Presidentja ka ritheksuar se e drejta e apelit është pjesë e procesit gjyqësor dhe se Kosova do të vazhdojë t’i mbështesë ish-krerët e UÇK-së në këtë fazë, brenda përgjegjësive dhe mundësive institucionale.
Sipas Presidencës, Shiroka Pula ka theksuar se lufta e UÇK-së ishte luftë për liri, e zhvilluar përballë shtypjes, dhunës dhe krimeve të regjimit të Serbisë ndaj popullit të Kosovës.
Gjatë këtyre takimeve, presidentja i ka informuar familjet se, në përputhje me afatet ligjore, do të veprojë lidhur me Ligjin për Dhomat e Specializuara.
“Familjet nuk janë vetëm në këtë rrugëtim dhe se Presidenca e Republikës së Kosovës do të mbetet e hapur për to, duke vepruar brenda kompetencave të saj kushtetuese dhe ligjore në mbështetje të përpjekjeve për drejtësi”, thuhet në njoftimin e Presidencës.









