Policia e Kosovës në bashkëpunim me Prokurorinë Speciale ka realizuar të martën aksion policor në disa lokacione në kuadër të hetimeve në rastin e njohur me emrin “White Star”, ku janë arrestuar pesë persona.

Në njoftimin e Sistemit Prokurorial bëhet me dije se operacioni është mbështetur nga EUROPOL-i, autoritetet e Belgjikës, Francës dhe Holandës. Pjesëtarë të këtyre institucioneve, së bashku me prokurorin e rastit kanë monitoruar operacionin policor nga vendi i ngjarjes.

Operacioni është realizuar në disa lokacione – Prishtinë, Pejë, Prizren, Viti dhe Drenas – nën monitorimin e Prokurorisë Speciale të Kosovës, në bazë të urdhrit të lëshuar nga Gjykata Themelore.

Pesë (5) personat janë ndaluar me vendim të prokurorit special për 48 orë, nën dyshimin për përfshirje në veprat penale “pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal të organizuar”, “blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve” si dhe “pastrimi i parave”.

Gjatë realizimit të urdhër kontrollit janë gjetur dhe sekuestruar prova relevante dhe pasuri të specifikuara duke përfshirë: 6 armë, 5 karikatorë, Lëndë narkotike e llojit kokainë 9.67 gram, Fara mbjellëse të llojit marihuanë 35,18 gram, 239 fishekë, 25 telefona, 7595 para të gatshme në euro, 10 automjete dhe 1 motoçikletë, 10 kompjuterë, 13 USB, 1 DVR dhe 16 ora dore etj.

Prokuroria Speciale dhe Policia e Kosovës riafirmojnë angazhimin për luftimin e krimit të organizuar dhe forcimin e sundimit të ligjit. Nëpërmjet bashkëpunimit institucional dhe veprimeve të koordinuara, do të vazhdojnë të ndërmarrin masa për parandalimin, hetimin dhe ndjekjen e veprave penale, duke siguruar llogaridhënie dhe respektim të procedurave ligjore.