Vetëm dy vite pasi ia fali 24 hektarë tokë Manastirit të Deçanit, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka vendosur të legjitimojë strukturat paralele serbe në Kosovë, duke ua njohur ID kartelat.

Kjo u bë e ditur në një konferencë për media mëngjesin e të shtunës, pas takimit që Kurti pati me Peter Sorensen, Emisar i Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë-Serbi.

“Qeveria e Republikës së Kosovës po ashtu do të hapë një dritare të re tre-mujore për të mundësuar qytetarëve serbë të regjistrojnë faktet civile, të cilat deri më 15 mars 2026 janë regjistruar nga strukturat ilegale. Në këtë periudhë, aplikantëve do i lejohet përdorimi ID kartës, ekskluzivisht si mjet identifikimi, të lëshuar nga strukturat jolegale”, ka deklaruar Kurti.

Para kësaj, më 13 mars 2024, Kurti i kishte dhënë Manastirit të Deçanit 24 hektarë tokë, gjë të cilën e njoftonte në mbledhjen e qeverisë të po asaj date.

Kurti si opozitar kishte qenë kundër marrëveshjeve dhe kompromiseve me Serbinë, duke u njohur sidomos për sloganin e famshëm të partisë së tij “Jo Negociata, Vetëvendosje”.