Zyra Kombëtare e Auditimit ka gjetur një sërë shkeljesh në dhënien e tenderëve në Komunën e Podujevës, të udhëhequr nga Shpejtim Bulliqi i Vetëvendosjes. Dallaveret e evidentuara aty, janë material për Prokurorinë.
DOKUMENT:

Në njërin rast, një kompani ishte shpallur fituese e tenderit për “Rregullimin e infrastrukturës së varrezave të qytetit” në vlerë 1 milionë e 155 mijë euro. Në dosjen e tenderit, Zyra Kombëtare e Auditimit ka gjetur se operatori ekonomik fitues nuk kishte ofruar dokumentin e kërkuar të qarkullimit vjetor të ATK-së prej jo më pak se 1 milion e 700 mijë euro. Pavarësisht kësaj, i njëjti ishte shpallur fitues.
Por nuk mbaron me kaq. Për rregullim të varrezave, në Ligjin e Buxhetit, komuna kishte planifikuar 50 mijë euro për këtë projekt. Si përfundim, tenderin e dha në vlerë 1 milion e 150 mijë euro. Pra, mbi 1 milion euro mbi vlerën e parashikuar.
Në tenderin tjetër “Ndërtimi i parkut industrial bujqësor në Sfeqël”, me vlerë 1 milionë e 356 mijë euro, sipas ZKA-së, “ishte kërkuar dokumenti për ISO 9001:2015, ndërsa operatori fitues kishte dorëzuar ISO 14001:2015”. Sërish dhe çuditërisht, ky operator ekonomik ishte shpallur fitues.
Edhe për “Ndërtimin e Parkut Industrial Bujqësor në Sfeqël”, në Ligjin e Buxhetit ishin planifikuar 400 mijë euro. Por, në fund, tenderi u dha për 1 milion e 356 mijë euro, duke tejkaluar për 956 mijë euro planifikimin.
Gjithashtu, për procedurën “Ndërtimi i kuzhinës qendrore për fëmijë në çerdhe dhe nxënës të shkollave në Podujevë”, me vlerë 698 mijë euro, në vend se të ofrohej dokumenti për ISO 50001:2018 operatori fitues ka dorëzuar certifikatën PAS 99:2012, që si i tillë nuk e plotësonte këtë kriter.
Komuna për “Ndërtimin e kuzhinës qendrore për fëmijë në çerdhe dhe shkolla”, planifikonte 190 mijë euro. Por, si përfundim, projekti i kushtoi 508 mijë euro më shtrenjtë.

Për të gjitha këto gjetje, komuna, Auditorit i është përgjigjur me vetëm një fjalë: Pajtohemi.
Auditori ka theksuar se këto shkelje të komunës së Bulliqit, kanë cenuar transparencën, barazinë dhe efektivitetin e procesit të prokurimit publik.
Raporti i ZKA-së, nga komuna e udhëhequr nga Bulliqi është pranuar më 20 maj të vitit 2026.








